TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp ka paraqitur para gazetarëve faktet që sipas tij tregojnë manipulimin me patronazhistë të votimeve të diasporës. Kryedemokrati ka publikuar pamjet e një patronazhisti që sipas tij, ka manipuluar me votën e diasporës. Berisha tha se personi në fjalë “drejtohet direkt nga famëziu Taulant Begojaris”, duke iu referuar ministrit Taulant Balla.
“Sot këtu kemi sjellë disa foto dhe video, që faktojnë se patronazhisti është personi që merr në dorë votën e diasporës. I cili drejtohet direkt nga famëziu Taulant Begojaris. Ja ku e keni. Krenar njëri me tjetrin për krimin që kryejnë. Ja ku është. Votat në duart e partisë së krimit. Ky është vetëm një episod, ose një dëshmi, një fakt. Ekzistojnë të tjera në të cilat votat e diasporës u shtetëzuan dhe u manipuluan në shkallën që deshi, partia e krimit.
Në shkelje të plotë të kontratës, dhe sigurisht ka vetëm një konkluzion: këto zgjedhje nuk mund të njihen kurrë.
Detyra themelore e çdo demokrati dhe demokrateje është, rikthimi i të drejtës së votës së lirë, largimi i Edi Ramës nga pushteti, qeveria teknike dhe vota e lirë,”tha Berisha.
















