TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar kreun e SPAK, Altin Dumanin si ushtar i botës së krimit. Gjatë fjalës së tij në konferencën për mediat, Berisha ka deklaruar se kanë kaluar mbi 3 javë dhe Dumani nuk ka dhënë përgjigje për njoftimin që i është bërë kartelit më të rrezikshëm në Europë, që të arratiseshin. Berisha më tej ka deklaruar se klani Troplini është i lidhur kryekëput me qeverinë dhe se ndihet i mbrojtur.
“Kaluan mbi tre javë dhe Altin Troplini nuk ka dhënë asnjë përgjigje për njoftimin që u bë klanit apo kartelit më të rrezikshëm në Europë, njoftim i cili u siguroi atyre lirinë dhe largimin. Altin Troplini mbajti për rreth 3 javë në xhep mandatin ndërkombëtar të arrestit të bosëve të kartelit të vetëm në Europë që disponon port dhe e ekzekutoi atë ditë pasi bosët e kartelit ishin njoftuar dhe kaluan në fshehtësi, në arrati. Çdo ditë që kalon fakton se Altin Troplini është një bashkëpunëtor në krim me kartelin më të rrezikshëm të drogës në Europë. Gjer sot, shqiptarët nuk kanë asnjë shpjegim.
U përpoq të implikojë Antimafian Italiane, DEA-n amerikane, por një gjë kanë të qartë shqiptarët, se kurrë as Antimafia Italiane, as DEA amerikane nuk kanë njoftuar bosët e kartelit më të rrezikshëm të Europës, Troplinët për t’u larguar nga Shqipëria. Gjer sot ka vetëm mashtrimet dhe trillimet e tij, përpjekjet e tij për t’u fshehur pas DEA-s dhe Antimafies, në një kohë kur njoftimi është direkt vepër e atij që mbante në xhep mandat-arrestin dhe nuk e ekzekutonte gjersa ata të përfundonin në vendin e fshehur dhe të sigurt. Sigurisht duke qenë një klan i lidhur kryekëput me qeverinë, Troplini në prokurori ndjehet i mbrojtur.
Por e garantoj se ky problem do të bëhet sa kombëtar, aq edhe ndërkombëtar. Dhe nuk do mund ta kapërcejnë me dëshmitarë të rremë si Alfred Shehu, siç bëri para medias që e thirri shpejt e shpejt në ndihmë dhe u detyrua të ndërrojë ato që kishte thënë dy minuta më parë. Njoftimi i kreut të kartelit më të fuqishëm të drogës në Shqipëri dhe largimi i tij, pasi ai drejtoi fushatën elektorale të partisë së krimit në Durrës, dëshmon se Altin Troplini ishte në këtë fushatë thjesht një ushtar i botës së krimit, i karteleve të drogës dhe Edi Ramës,” tha Berisha.