Policia ka goditur një bazë armatimi në fshatin “Picallë”, e cila dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale në Tiranë. Gjatë operacionit të koduar “Picalla”, janë sekuestruar 9 armë zjarri, përfshirë 5 armë automatike, 1 pushkë dhe 3 pistoleta, si dhe 1 armë gjahu, silenciator, uniforma dhe pajisje të ngjashme me ato të Policisë. Po ashtu, janë gjetur rreth 900 fishekë luftarakë, fitila zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore.
Pas operacionit, është arrestuar një 66-vjeçare, M. H., ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi O. Q., 41 vjeç. Ky i fundit dyshohet se është poseduesi i bazës së armatimit. Kontrollet u realizuan në banesën e O. Q., ku u identifikuan armët dhe pajisjet.
Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekspertizë, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale. Policia po vazhdon punën për kapjen e O. Q. dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.















