Banorët e fshatit Çiflik protestuan mbrëmjen e kaluar për shkak të përmbytjeve të përsëritura, që ata besojnë se janë pasojë e bllokimit të kanalit kullues. Ky kanal është i mbyllur prej më shumë se një muaji, çka ka shkaktuar përmbytjen e tokave dhe shtëpive të tyre dy herë brenda dy muajve.
Ata theksojnë se ngushtimi i kanalit nga ana e bashkisë ka rritur frekuencën e përmbytjeve. Një banore shprehet: “Është bllokuar kanali. Nuk e di sesi ka ardhur uji, u mbyt fshati. Nuk na përgjigjet njeri. Nuk na e shpjegon njeri pse është mbyllur ura.” Një tjetër banor kërkon heqjen e betonit shtesë për të lejuar derdhjen e ujit, duke thënë: “Ky është kanal kullues, këta vijnë e bllokojnë. Më është mbytur shtëpia dhe serra, ku do t’i çoj kalamajtë?”
Një banor 70-vjeçar pohoi se ndryshe nuk ka pasur përmbytje të tilla në jetën e tij, dhe përmendi se djali i tij u kthye nga Italia për të punuar, por situata ka ndryshuar ndjeshëm. Një tjetër banor i shqetësuar paralajmëron: “I bie të bëjmë vetëgjyqësi, t’i marrim vendimet me dhunë.”
Banorët i bëjnë thirrje bashkisë që të marrë masa urgjente, pasi niveli i prurjeve të lumit dhe përrenjve vazhdon të rritet. Protesta e tyre tregon shqetësimin e thellë për pasojat që kanë përmbytjet mbi jetesën e tyre.















