Një operacion i përbashkët i policisë dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër ka çuar në bllokimin e 110 tonëve fruta-perime, pas zbardhjes së një skeme shkeljesh dhe abuzimi me sigurinë ushqimore. Gjatë këtij operacioni, janë arrestuar Gëzim Bala, 67 vjeç, Elis Bala, 33 vjeç dhe Artan Bala, 61 vjeç, të gjithë banues në Shkodër. Ata dyshohen se kanë kanosur dy shtetas të tjerë për motive të dobëta, me qëllim përfitimin e pasurisë.
Kontrollet në aktivitetin tregtar të Gëzim dhe Elis Balës zbuluan se ata prodhonin produkte ushqimore të pamiratuara dhe në kushte jashtë standardeve higjeno-sanitare. Si pasojë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur një gjobë prej 500 mijë lekësh për subjektin, ka bllokuar sasinë e produkteve dhe ka ndërprerë aktivitetin e tyre.
Shtetasit e arrestuar nuk janë të panjohur për autoritetet, pasi janë arrestuar dhe referuar në prokurori edhe në vitin 2018 për të njëjtën akuzë, atë të prodhimit të paligjshëm të mallrave ushqimorë.















