Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Francë, ku një burrë 43-vjeçar është arrestuar për mbajtjen e djalit të tij 9-vjeçar të mbyllur në furgonin e tij që nga viti 2024. Sipas prokurorit Nicolas Heitz, ngjarja u zbulua pas njoftimit të një fqinj që kishte dëgjuar “zëra të një fëmije” nga një automjet në fshatin Hagenbach, pranë kufirit me Zvicrën dhe Gjermaninë.
Policia ndërhyri dhe gjeti fëmijën në kushte çnjerëzore, duke e privuar nga ushqimi, kujdesi mjekësor dhe kushtet minimale të jetesës. Fëmija nuk ishte në gjendje të ecte për shkak të qëndrimit të gjatë në të njëjtin vend. Hetimet tregojnë se babai e mbante të mbyllur djalin që nga nëntori i vitit 2024, duke pretenduar se po e mbronte nga partnerja e tij 37-vjeçare, e cila sipas tij kishte ndërmend ta dërgonte në trajtim psikiatrik.
Fëmija jetonte në të njëjtën banesë me dy motrat e tij, një 12-vjeçare dhe një 10-vjeçare nga një lidhje tjetër. Sipas dëshmive të tij, babai i sillte ushqim dy herë në ditë dhe i linte ujë në shishe, ndërsa nevojat personale i kryente në qese plastike dhe shishe. Autoritetet konfirmojnë se ai nuk kishte bërë dush prej fundvitit 2024.
Babai është akuzuar për “mbajtje peng dhe izolim të një të mituri”, si dhe për mungesë të kujdesit ushqimor dhe shëndetësor. Ai është lënë në paraburgim. Ndërkohë, partnerja e tij po hetohet për “mosdhënie ndihme ndaj një të mituri në rrezik” dhe “mosdenoncim të keqtrajtimit të një të mituri” dhe është liruar me kusht. Të tre fëmijët janë vendosur në kujdestari të përkohshme, ndërsa çështja do të shqyrtohet nga gjykata për të mitur.















