Festim Keci, një 53-vjeçar i dënuar me 9 vite burg në Itali për trafik narkotikësh, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni, u arrestua në Shijak. Arrestimi i tij u realizua në kuadër të një operacioni të koduar “Decision”, i cili u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Policinë e Shijakut dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës.
Keci ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas një vendimi të Gjykatës së Apelit të Torinos në vitin 2023, e cila e dënoi atë për disa veprat penale të rënda sipas Kodit Penal italian. Pas arrestimit, ai do të ekstradohet drejt Italisë për të përballuar dënimin e tij. Materialet e hetimit janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për të lehtësuar procesin e ekstradimit.
Sipas njoftimit të policisë, operacioni kishte si qëllim gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, duke përdorur informacione të marra në rrugë operative. Arrestimi i Kecit është një tjetër sukses në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike në rajon.















