Më 27 prill 2025, Pamfleti publikoi skandalin e transferimit të dosjeve të tenderëve dhe kontratave koncesionare të Ministrisë së Shëndetësisë në depot e një kompanie private, me urdhër të ministres Albana Koçiu. Kompania quhet “Albanian Archives” dhe është e regjistruar si arkiv privat, me seli në Kashar.
Në pamje të parë, mund të duket si një kontratë logjistike teknike. Por pas kësaj fshihet një ndërthurrje e frikshme mes politikës, biznesit dhe krimit të organizuar.
Sipas regjistrit të QKB-së dhe të dhënave tatimore, 20% e pronësisë së kësaj kompanie i përket Erald Kaprit, deputet i sapozgjedhur i Partisë “Mundësia”, i afërt me Agron Shehajn.

Por partneri kryesor i Kaprit në këtë kompani është një emër i njohur për autoritetet e rendit dhe inteligjencës kriminale: Eral Myftaraj, me 40% të aksioneve.
Ky emër është i lidhur me trafikun e drogës, kontrabandën e makinave dhe armëve, si dhe pastrimin e parave. Ai rezulton pjesë e rrjeteve kriminale në Elbasan, Pogradec e Peqin, i përmendur edhe në lidhje me grupin e Zamir Balliut.
Eral Myftaraj është gjithashtu pronar i kompanive “Meteo” dhe “AL-Mexwood”, si dhe i një koncesioni 35-vjeçar për një fidanishte shtetërore në Peqin, ku ortak i fshehur figuron ish-ministri Bledar Çuçi.
Tani shtrohet pyetja: Si ka mundësi që një kompani me ortakë të tillë po mban në duar të gjitha dosjet e shëndetësisë shqiptare? Kush e garanton integritetin e atyre dokumenteve që janë transferuar në mënyrë të paligjshme në ambientet e një firme private me lidhje kriminale?
Për më tepër, kjo kompani i përket një deputeti në detyrë, pra mbrohet me imunitet, dhe një trafikanti me lidhje të ngushta me struktura të thella të botës së krimit.
Çfarë do ndodhë me këto dosje? A po përdoren për shantazh, zhdukje dokumentesh apo për pastrim të të dhënave kompromentuese?
Në një vend normal, SPAK do të kishte zbarkuar menjëherë në ambientet e “Albanian Archives” për të sekuestruar të gjitha dokumentet e shtetit që janë futur në duar të privatëve. Por në Shqipërinë e Ramës, dosjet e shëndetësisë, të një sektori me qindra milionë euro tenderë, ruhen nga ortakët e bandave.
Dhe më ironikja: njëri prej tyre është tashmë në Kuvend.
/Pamfleti/