Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po e sheh misionin e ri të NASA-s për t’i dërguar astronautët në Hënë si një mundësi strategjike për ta forcuar politikën “Amerika e Para”. Ky mision, i njohur si Artemis, shënon rikthimin e njerëzve në Hënë pas një periudhe të gjatë, duke pasur gjithashtu një rëndësi të madhe në një kontekst politik dhe gjeopolitik të tensionuar, përfshirë çështje si konflikti me Iranin, imigracioni dhe ekonomia.
NASA ka përcaktuar se qëllimi i këtij misioni është ndihmimi në krijimin e një baze të përhershme në Hënë dhe, në të ardhmen, përgatitjen për misione drejt Marsit. Një sukses në ketë mision do të përbënte një fitore simbolike dhe strategjike për administratën Trump dhe do të ofronte një rast të rëndësishëm për unitet kombëtar në një kohë ndarjesh të thella.
Programi Artemis ka filluar të formohet gjatë mandatit të parë të Trumpit, i cili theksoi ambiciet për dërgimin e astronautëve amerikanë në Mars, si dhe krijimin e United States Space Force si një degë të re ushtarake. Me kalimin në mandatin e dytë, fokusi është zhvendosur më shumë drejt Hënës. Një urdhër ekzekutiv i nënshkruar në dhjetor kërkon që astronautët amerikanë të rikthehen në Hënë deri në vitin 2028 dhe të ndërtojnë një bazë të përhershme deri në vitin 2030.
Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, ka theksuar rëndësinë gjeopolitike të këtij misioni, duke pasur parasysh konkurrencën me Kinën në hapësirë. Ai deklaroi se qëllimi nuk është vetëm simbolik, por edhe krijimi i një pranie të përhershme në Hënë, duke nënvizuar se SHBA nuk dëshiron ta “humbasë” më këtë mundësi.
Ky mision është i rëndësishëm jo vetëm për avancimin e kërkimeve shkencore, por gjithashtu për forcimin e pozitat strategjike të SHBA-ve në arenën ndërkombëtare.














