Shkroi: Jane Doe
Në Shqipërinë thagmëmadhe ku skandali zë skandalin, pakkush e ka mendjen tek RTSH-ja. Tani që na njeh bota për numrin e lartë të turistëve, kanë filluar të na përgojojnë edhe mediat fqinje. Gjithë kjo tymnajë nuk i ka lënë mend në kokë kryeministrit të merret me një qime miu siç është TV publik. Fat e kaluar fatit për Fred Shtizën, i cili po mbijeton si puna e fikut, në bahçen që mbolli vetë. S’ke nevojë ta ujisësh. Mjafton një gjiriz afër dhe rritet vetë.
Po përse ky varietet po haset gjithnjë e më shpesh në realitetin tonë të vogël? Pse speciet si ky sa vijnë e shtohen dhe shpresat tona sa vijnë e firohen? Sepse specie si Shtiza nuk i luan kush. Është e keqja më e vogël që mund t’i ndodhë këtij vendi, dhe kur t’i vijë radha, ai do jetë i kolauduar. Do ketë bërë edhe lekët e burgut, edhe lekët e llixhës. Nuk dua të demoralizoj askënd, aq më pak punonjësit e mbetur në RTSH. Ata që shpresuan se do festonin shporrjen, po tretin dhjamin e fundit që kishin ruajtur për dimër. Ata që investuan në promovimin e fikut dhe kultivimin e tij po vënë dhjamë në brez çdo ditë. Por shpresa vdes e fundit dhe vokacionin nuk na e heq dot askush!
Kthehemi në realizmin magjik të RTSH-së…
Nëse ka një organ brenda RTSH-mavrisë-me-bojë që mund ta shporrë Gjeneralin dhe Ushtrinë e tij të vdekur, ai është Këshilli Drejtues i RTSH-së. Ky këshill ka gjithë forcën që i jep statuti dhe ligji për ta shkarkuar menjëherë. Por kjo nuk po ndodh dhe nuk ka gjasa të ndodhë! Shtiza ua ka gjetur anën kuajve të ngordhur që të hanë bar të djegur edhe për aq kohë sa ky do jetë pronar i hanit.
Në fillimet e Shtizës u duk sikur Këshilli mbajti pozicion stoik dhe i bëri bllokadë, duke mos i aprovuar propozimet për drejtues dhe projekte. Më pas u përfol sikur Këshilli do ta shkarkonte me shpejtësi për shkak të pushimeve kolektive nga puna. Po mbushet viti që kur Shtiza u ngul në atë godinë dhe asgjë nga këto nuk ndodhi.
Këshilli i murgjve Shaolin, aktualisht ka 10 anëtarë, bashkë me kryetarin. Por ky nuk është numri real. Anëtari i 11-të u zgjodh me 95 vota PRO në parlamentin e Shqipërisë më 22 mars 2024. Ai është Ndriçim Xhepa dhe s’ka nevojë për prezantim shtesë. Për pak kohë u fol sikur Xhepa do të zgjidhej kryetar, por më shumë sesa thashethem duhet të ketë qenë një ëndërr që mbeti në sirtar, bashkë me shumë të tjera. Xhepa mori pjesë vetëm në një mbledhje të Këshillit Shaolin. Aq shumë duhet të jetë llahtarisur, saqë dha dorëheqjen e menjëhershme, duke refuzuar të bëhet pjesë e kësaj çmendurie kolektive.
Shaolinët mbetën sërish me 10 anëtarë, duke u kthyer kështu në pikën 0, aty ku nisi mankthi që s’mbaron.
Për të gjithë fansat e Sarasvatiçandrës, ata që nuk i kanë ndjekur të gjitha seritë, le t’ju njohim më nga afër me kryetarin dhe 9 anëtarët e këtij organi pa organe. Pas karakteristikave të gjithsecilit bëjeni vetë një bilanc se pse Shtiza vazhdon të shpojë në jastëk të butë.
Lek Bixha
Kryetari i KD (aka – Këshilli i Derdimenëve). Leku është një meme lëvizëse që njihet nga publiku për hashtagun e famshëm #ekuqezezë. Emrin e ka Lek Bixha dhe i ka rënë vërtet bixha, pasi po shkon 100 vjeç dhe paguhet njësoj si një njeri i kthjellët.
Profesioni: Animator
Hobi: bixhozi, këmishat e Ilo Pincit dhe frutat e stinës (kryeson pjeshka).
Muzika e preferuar: tingulli i xhetonit
Horoskopi: miu
Si ta mbash mirë me Bixhën: $, $, $!
Ngadhnjim Gomarica
Profesioni: shkodran
Hobi: radiot kineze
Muzika e preferuar: gërrhitja
Horoskopi: bufi
Si ta mbash mirë me Gomaricën: lëre rehat të mbajë dhe ca borde të tjera
Arenc Qameti
Profesioni: Karikaturist
Hobi: Laver Bariu, pikturat në vaj lini
Muzika e preferuar: burimore
Horoskopi: krimbi
Si ta mbash mirë me Arencin: bliji ca filma nga kompania e tij e njohur “Santal”
Pellazg Keku
Profesioni: nostalgjist
Hobi: takimet në errësirë
Muzika e preferuar: thashethemet
Horoskopi: krokodili
Si ta mbash mirë me Pellazgun: mos u lodh, se e mban mirë ai me ty
Pelivan Shakaj
Profesioni: pensionist
Hobi: shajet e Albano Carrisi-t
Muzika e preferuar: hapat e kryetarit Bixha kur ecën para tij
Horoskopi: koala
Si ta mbash mirë me Pelivanin: lëre të bërtasë kot
Arnata Peçi
Profesioni: nobeliste
Hobi: syzet pa numër
Muzika e preferuar: Bujar Qamili
Horoskopi: mushkonja
Si ta mbash mirë me Arnatën: Mos, se të lëshon burrin!
Malena Biçimi
Profesioni: Bullgare
Hobi: të shohë ëndrra me Mirela Kumbaron
Muzika e preferuar: zëri i Shtizës
Horoskopi: hardhuca
Si ta mbash mirë me Malenën: promovoji ca libra
Kont Egmont Tulipani
Profesioni: tenor pa CV
Hobi: të këndojë në dush
Muzika e preferuar: 3 tenorët, 4 tenorët, 5 tenorët
Horoskopi: hipopotami
Si ta mbash mirë me Tulipanin: bëja dhëndrrin drejtor
Adonis Papataqo
Profesioni: thuthuq
Hobi: s’ka
Muzika e preferuar: zilja e telefonit kur bie në mbledhjet me KD
Horoskopi: ketrushi
Si ta mbash mirë me Papataqon: jepi ndonjë $ për ndonjë film
Angjelin Prelndocaj
Profesioni: topograf
Hobi: sex, drogë dhe rock ‘n’ roll
Muzika e preferuar: çdo zë femëror që i thotë “PO”
Horoskopi: lepuri
Si ta mbash mirë me Angjelinin: jepi vetëm 1 kamera dhe ca dieta për Zvicër, se lekët ua merr shqiptarëve të Diasporës.
Këta janë Rosinantët dhe Dylqinjat që shiten për 1 bukë misri. Me në krye Don Kishotin e Peqinit, po varrosin të parin dhe të vetmin televizion publik në vend. Nëse do kishte shtet, asnjë nga këta më sipër nuk do të ishte sipër. Do të ishin shumë më të nderuar, nëse secili prej tyre do vijonte jetën e tyre në fushat respektive, ku me siguri janë më të dobishëm se këtu. Të kesh në dorë fatin e një institucioni publik është përgjegjësi e lartë dhe kërkon moral dhe integritet. Por këto janë thjesht fjalë të leksikut që fillojnë me “m” dhe me “i”.
Post Scriptum: Alfred, faleminderit që dritaret e bardha të spoteve i bëre të kuqe! Nëse i ndryshove për mua, preferoj ngjyrën e zezë. Nëse do të bësh përshtypje tek KM-ja, mos u lodh! Atij ka vite që nuk ia merr RTSH-në.
Vijon me thagma të reja…