TIRANË– Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, AMT paraditen e sotme është paraqitur para ambiente të SPAK ku kanë bërë me dije se kanë depozituar një kërkesë tjetër në lidhje me tenderin e ndërtimit të Teatrit Kombëtar. Mësohet se në këtë kërkesë ata kanë kërkuar vendosja e masës së sekuestros preventive mbi tenderin e Bashkisë së Tiranë.
Avokatja Adriana Kalaja u shpreh se tenderi sot kap vlerën e 22 milionë eurove. Ajo shton se ky tender nuk është dhënë për teatër pasi sipas saj në vend të një teatri do të ndërtohet një qendër tregtare. Avokatja tha se ata kanë bërë një përmbledhje sesi tenderi u fitua në mënyrë korruptive.
“Është një tender i zhvilluar për teatrin e ri në tetor të vitit 2022. Sot ky tender kap vlerën e 22 milionë eurove dhe në asnjë moment, ne as edhe publiku nuk ka informacion, qoftë nga pikëpamja teknike se deri në çfarë faze punimesh të teatrit kombëtar do të përballojë vlera 22 milonë dhe kush është vlera tjetër e përfundimit, gjoja të punimeve të teatrit. Se siç e kemi deklaruar dhe koha na ka thënë të drejtë aty nuk do të ketë teatër. Aty do të ketë një qendër multifunksionale e cila do jete thjesht një qendër tregtare.
Pra në asnjë moment nuk do të ketë një teatër të mirëfilltë për Tiranën dhe fatkeqësisht Tirana pas 5 viteve është i vetmi kryeqytet në botë pa një teatër. Ndërkohë për ta lehtësuar sadopak punën e SPAK dhe të Olsi Dados dhe Altin Dumanit, kemi bërë një rezyme të qartë se si tenderi megjithëse u “fitua” në mënyrë korruptive pasi tenderi në informacionet që ne kemi brenda bashkisë së Tiranës është përfituar pra në mënyrë korruptive nga shoqëria Agikons.
Çuditërisht në dhjetor të 2022 siç e keni bërë edhe ju publike, aty fillojnë punimet tek, sheshi i Teatrit Kombëtar dhe pastaj dhe në Qershor të 2023 bie leja e ndërtimit. Pra pas 6 muajsh që kishin filluar punimet. Në zbatim të këtij tenderi bashkia e Tiranës nxjerr lejen e ndërtimit që minimalisht për prokurorin Edvin Kondili jemi përpara veprës së ndërtimit pa leje,” u shpreh Kalaja.















