Një studim i ri, i udhëhequr nga Dr. Peter Fretwell i British Antarctic Survey, ka zbuluar se procesi i ndërrimit të puplave te pinguinët perandorë po bëhet një kërcënim serioz për mbijetesën e tyre për shkak të ngrohjes globale. Këta pinguinë kalojnë çdo vit 30-40 ditë për të humbur pendët e vjetra dhe për të rritur ato të reja, të cilat janë rezistente ndaj ujit. Gjatë kësaj periudhe, ata janë të detyruar të qëndrojnë mbi akull, pasi zgjedhja për të hyrë në ujë mund t’i ekspozojë ndaj temperaturave të ulëta që i rrezikojnë ata me ngrirje.
Megjithatë, akulli detar në Antarktidë ka pasur një tkurrje dramatike mes viteve 2022-2024, duke arritur nivele rekord të ulta. Në vitin 2023, sipërfaqja e akullit ra nga 2.8 milionë km² në 1.79 milionë km². Kjo tkurrje ka lënë shumë koloni pinguinësh pa vende të sigurta për të kryer procesin jetësor të ndërrimit të puplave.
Studimi tregon se shumica e grupeve të pinguinëve në Antarktidën Perëndimore, e cila përbën 30-40% të popullsisë globale, nuk shfaqen më në imazhet satelitore. Nga qindra grupe, Fretwell arriti të identifikojë vetëm 25, me madhësi nga 10 deri në 1,000 zogj. Shkencëtarët besojnë se mijëra pinguinë mund të kenë ngordhur për shkak të nevojës për të hyrë në ujë para se pendët e reja të ishin plotesisht funksionale. Disa të tjerë mund të kenë migruar drejt Antarktidës Lindore, gjë që mund të ketë ndikuar negativisht në ciklin e shumimit.
Procesi i ndërrimit të puplave është i lodhshëm dhe zgjatues, duke i bërë pinguinët të humbasin deri në 50% të masës trupore. Pa “kostumin” e tyre të papërshkueshëm nga uji, këta zogj janë shumë të pambrojtur. Këto zhvillime sugjerojnë se rënia drastike ose madje zhdukja e pinguinëve perandorë mund të ndodhë në dekadat në vijim, duke e bërë këtë një alarm të qartë për ndikimet dramatike të ndryshimeve klimatike.















