Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Durrësit, konkretisht në rrugën “Taulantia”, ku një automjet ka goditur dy këmbësorë. Sipas informacioneve të Policisë, incidenti ndodhi rreth orës 17:40, kur automjeti i drejtuar nga shtetasi E. Sh., 30 vjeç, ka humbur kontrollin dhe ka përplasur dy persona që ishin në ecje.
Të lënduarit, Sh. G., 61 vjeçe dhe E. G., 32 vjeç, janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Durrësit për ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, të dy ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht, një grup hetimor është ngritur për të hetuar shkaqet e incidentit dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat që e shoqëruan atë.















