Aksi nacional Librazhd-Prrenjas mbetet i bllokuar pas rrëshqitjeve masive të tokës që ndodhën ditën e premte. Specialistët e Autoritetit Rrugor dhe shërbimeve gjeologjike, si dhe ata të emergjencave civile, janë të pranishëm në terren për të gjetur një zgjidhje për situatën.
Për momentin, nuk ka pasur lëvizje të tjera të tokës dhe situata është raportuar si e qëndrueshme. Një ekip inxhinierësh është duke punuar për të analizuar mundësitë e zgjidhjes, ndërsa pritet edhe një raport nga shërbimi gjeologjik për të mbështetur grupet e punës.
Sidoqoftë, rrugët alternative në fshatrat e Librazhdit nuk ofrojnë siguri për kalimin dhe nuk rekomandohen për qarkullim. Autoritetet inkurajojnë drejtuesit e mjeteve të përdorin rruge alternative të përcaktuara.
Për autoveturat, sugjerohet rruga Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan dhe Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë. Ndërsa për mjetet e tonazhit të rëndë, alternativa është pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni dhe pika doganore e Bllatës që lidh rrugën e Arbërit.
ARRSH kërkon mirëkuptim dhe durim nga drejtuesit e mjeteve gjatë kësaj periudhe dhe siguron se e gjithë puna ka si prioritet hapjen e qarkullimit në këtë aks të rëndësishëm.















