Deputeti Agron Shehaj njoftoi dje publikisht largimin nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, një vendim që ai vetë e kishte marrë që prej muajit Qershor të këtij viti, dhe ia kishte komunikuar edhe Sali Berishës. Si shkak për këtë largim dhe tërheqje të Shehajt nga PD, deputeti bëri mungesën e figurave të reja dhe rinovimit të Partisë Demokratike, që ai vetë e kishte shpresuar dhe ishte përpjekur duke hyrë dhe në garën për kryetar në vitin 2021, ku humbi përballë Lulzim Bashës.
Edhe pse gazetarët insistuan dhe pyetën Shehajn nëse kishte nisur nga puna për krijimin e një partie të re, deputeti qëndroi disi i tërhequr për të dhënë një koment, por bëri të qartë se përkatësia e tij mbetet qendra e djathtë, dhe përjashtoi çdo mundësi për të bashkëpunuar me lëvizjet e reja si partinë e Arlind Qorrit apo Adriatik Lapajt.
“Kështu nuk mund të vazhdohet, nuk mund të bëjmë politikë pa pasur të paktën një vision afatmesëm. Jam jashtë strukturës së PD-së, unë po largohem nga partia, por nuk do të thotë se do largohem nga politika. Ky është një vend që ka absolutisht nevojë për një parti opozitare, por unë nuk kam marrë një vendim të tillë. Nuk e përjashtoj, por sot nuk e kam marrë një vend të tillë. Çdo mundësi është ekzistuese”, tha prerë Shehaj në ‘Opinion’, ndërkohë që u pyet nëse tërheqja e tij lidhej me ndonjë presion nga ana e mazhorancës, përmes bizneseve të tij. Pak kohë më parë call centerat në pronësi të tij u mbyllën nga policia në Tetor 2022, me pretendimin se ushtronin aktivitetin në një godinë pa leje. Shehaj e quajti mbylljen e bizneseve të tij një sulm politik.
“Kompania ime “We Web Developers” ku rreth 200 të rinj punojnë në fushën digjitale dhe të programimit. Rama dërgoi policinë në ambjentet me qera të kompanisë dhe ka nxjerrë jashtë me forcë punonjësit dhe ka bllokuar aksesin. Policia nuk ka dorëzuar asnjë dokument apo akt në lidhje me bllokimin në shkelje flagrante të ligjit. Kërkesave zyrtare për t’u njohur me arsyet e bllokimit, gjithashtu nuk iu janë përgjigjur”,deklaroi Shehaj asokohe.
“A jeni 100% i bindur se ky është një vendim i juaji dhe nuk lidhet me ndonjë presion të mazhorancës?”, pyeti dje Fevziu, ndërsa Shehaj u përgjigj me humor se bizneset e tij janë ende të bllokuara dhe do të kujdesej që të qëndronin të tilla, në mënyrë që të mos akuzohej si i shitur.
Arsyet pse Shehaj u tërhoq nga PD
Shehaj: Duhet të bënim një rinovim total të PD-së. Prisja që të ndodhte një rinovim i PD-së. Mendoj se një parti që do të rrisë mbështetjen dhe të rrisë besimin, duhet të rinovohet, duhen figura të reja. Një parti politike që do të rrisë mbështetjen, duhet të ndryshojë. Ky qëndrim ngjan me qëndrimin që mbajta kur kandidoja kundër Bashës. Vendosa që të mos largohesha nga PD sepse ishte një parti e madhe dhe e bashkuar dhe mendoja se nuk doja ta përçaja PD-në. Basha përjashtoi Berishën, Berisha u rikthye në PD. Ndoqa atë që ka shumicën.
Kam marrë demokratët një më një dhe kam parë e kam vërtetuar se Berisha kishte shumicën. Detyrimi im, ta njihja Berishën si kryetar i PD-së. Ishte një lëmsh. Berisha u rikthye, tha që do të rinovonte PD-në, që do të fitonte zgjedhjet, mori pjesë në disa zgjedhe, u rikonfirmua nga demokratët si kryetar i PD-së. Pas zgjedhjeve të fundit lokale, ishte e qartë. Nuk janë të mjaftueshme 500 mijë vota.
Unë do të vazhdoj të bëj opozitën në Parlament. Nuk kam bërë llogari se çfarë do të bëj. Unë jam i bindur se kështu nuk mund të vazhdohet dhe nuk mund të bëj politikë pa pasur një vizion minimalisht afatmesëm. Mundet dikush që është brenda një partie politike të mos jetë dakord me ecurinë dhe rezultatet. Unë mendoj se duhet të ketë një rinovim dhe unë po largohem, por nuk do të thotë se unë do të largohem nga politika e të përçaj.
Agron Shehaj erdhi si një figurë e re në skenën politike në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017, kur Lulzim Basha e caktoi të parin në listën e qarkut të Vlorës. Shehaj vinte nga bota e biznesit, prej vitesh kishte ngritur një perandori të bizneseve call center në Itali dhe Shqipëri, ndërkohë që pasuria e tij kapte shifra milionëshe. Fillimisht angazhimi në politikë dukej i vështirë, edhe për shkak të mungesës së artikulimit të mirë të shqipes, por me kohën ai u shndërrua shpejt në një protagonist.
Lëvizja e tij e parë, që tregoi se nuk do të mjaftohej me karrigen e deputetit erdhi në vitin 2021, kur ai vendosi që të garonte përballë Lulzim Bashës për kreun e PD-së. Fushata e tij u përqëndrua kryesisht në rinovimin e Partisë Demokratike, dhe largimin prej saj të individëve të konsumuar. Shehaj arriti që të merrte mbështetjen e më shumë se 6 mijë anëtarëve, por pa mundur që të mposhte Lulzim Bashën, që vinte në këtë garë si humbës i zgjedhjeve parlamentare, e megjithatë arriti që të merrte mandatin e tretë në krye të PD-së.
Shehaj hyri në garën përballë Bashës, pasi ishte renditur në një prej kandidatëve për deputetë me më shumë vota preferenciale në zgjedhjet e Prillit, ku ai garonte për PD-në në qarkun e Tiranës. Shehaj arriti që të merrte në ato zgjedhje 13852 vota, ndërkohë që pak muaj më vonë në zgjedhjet e Partisë mbështetja ishte më pak se gjysma.
Teksa në PD nisi përplasja e madhe mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, pas përjashtimit të këtij të fundit nga grupi parlamentar, pak javë pasi u shpall non grata nga SHBA, Shehaj vendosi që të pozicionohej me atë që ai e konsideronte si shumicë. Ai ishte pjesë e Kuvendit Kombëtar Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha që u mbajt në 11 Dhjetor 2021, dhe më pas iu bashkua lëvizjes së Foltores dhe Rithemelimit.
Emri i tij u lakua si një prej kandidatëve të mundshëm për të qenë përballë Erion Veliajt në zgjedhjet lokale të këtij viti, por thashethemeve iu dha vetë fund deputeti, teksa u shpreh se nuk do të merrte pjesë në garën e primareve për Tiranën. 6 vite pas futjes së tij në politikë si një risi nga Lulzim Basha, kalimit në grupin e Berishës, dhe përjashtimit nga grupi parlamentar që i bëri Gazment Bardhi, Shehaj e sheh sot veten jashtë Partisë Demokratike, por jo jashtë politikës. A është çështje muajsh që ai të njoftojë një lëvizje të re? Kjo mbetet për t’u parë, megjithëse zgjedhjet parlamentare të 2025 janë shumë afër, dhe gara nëse kandidon si i pavarur nuk është shumë premtuese!/Zëri.ai