Ka përfunduar procesi i votimit në Rrogozhinë, aty ku qytetarët votuan këtë të dielë për zgjedhjen e kryetarit të ri të Bashkisë.
Sipas informacioneve nga KQZ, mbi 1000 votues më shumë se në zgjedhjet e mëparshme janë regjistruar, kjo mesa duket pas mobilizimit të partive garuese.
Në zgjedhjet për kryetar Bashkie të Rrogozhinës garon Edison Memolla nga Partia Socialiste, përballë Shkëlqim Hoxhës nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Në Rrogozhinë u vendos ripërsëritja e zgjedhjeve pas idntifikimit të problemeve me votat e kutisë së burgut. Qindra të burgosur nga e gjithë Shqipëria, që vuajnë dënimin në IEVP Rrogozhinë kishin votuar masivisht kandidatin e partisë në pushtet.
Edhe dita e sotme nuk ka kaluar pa incidente, megjithëse mëtë vogla. Në disa qendra votimi është raportuar prania e personave të paautorizuar. Ndërsa një qytetar u kap duke fotografuar votën.















