Frida Krifca, është ministrja e Bujqësisë, e para ministre nën drejtimin e së cilës Bashkimi Evropian bllokon fondet për bujqësinë shqiptare. Dosja e cila është dërguar në SPAK nga vet ndërkombëtarët pritet që të coj në burg “bjonden e bujqësisë”. Burime nga SPAK i thanë portalit “Timoni.al” se Krifca mund të jetë ministria e radhës që do t’i pritet fleta e arrestit në vjeshtë.
Prej disa ditësh u konfirmuan nga ndërkombëtarët faktet që media ka botuar prej kohësh për ministren e Bujqësisë dhe ish shefen e AZHBR. Madje jo më larg se 3 ditë më parë, në artikullin që publikuam me titullin, “Ja “dosja e zezë” me të gjitha skandalet e Frida Krifcës që rrezikon ta çojë drejt burgut, nga hoteli me 7 yje, shpërdorimi i fondeve të BE dhe deri tek 2.2 milionë eurot për Mërtirin dhe Zoton” treguam qartë të gjithë skemën e vjedhjes së Frida Krifcës me lekët e taksapaguesve evropianë. Fondet e dhëna nga Bashkimi Evropian për bujqësinë në Shqipëri gjatë viteve 2014-2020 janë bërë objekt hetimesh nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi se si masë parandaluese, ka vendosur bllokimin e fondeve për zbatimin e programit IPARD II. “Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II.
Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II. Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri.
Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian.”, thuhet në përgjigje.
Dosja përfundon në SPAK
Se OLAF ka dorëzuar një dosje në SPAK për abuzimet me fondet e BE i konfirmoi Prokuroria e Posaçme në raportin vjetor për vitin që lamë pas. Sipas SPAK, kemi 3 dosje që kanë ardhur nga ambasada gjermane, EUROJUST dhe nga OLAF (Zyra Europiane kundër Mashtrimit). Gazeta “SOT” e raportoi pak muaj më parë se OLAF, zyra e Bashkimit Evropian kundër mashtrimit në operacionet e saj ka kapur shkelje në shpërndarjen e fondeve të BE nga AZHBR, të cilat nuk kanë shkuar për fermerët, por në qoka për pushtetarët. Në këtë skemë del emri i Frida Krifcës, e cila akuzohet për afera të rënda. Në lidhje me çështjen e OLAF, sipas burimeve, një raport i kësaj strukture mësohet se është paraqitur pranë zyrave të SPAK me vërejtjet dhe gjetjet përkatëse në përdorimin e fondeve nga AZHBR. Në lidhje me këtë çështje, gazeta “SOT” dërgoi në fund të vitit 2022 dhe një kërkesë për informacion tek SPAK për dosjen që ka dorëzuar OLAF për AZHBR, por nuk morëm asnjë përgjigje për shkak se çështja ishte ende nën hetim.
Si u tentua të mbyllej dosja pa zhurmë
Kjo dosje u tentua që të mbyllej, pasi ka patur presione të forta e ndërhyrje të fuqishme që çështja të kalonte pa zhurmë nga SPAK tek Prokuroria e Tiranës. Pra në këtë mënyrë Frida Krifca shpëtonte nga hetimi. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Ishin raportimet e gazetës “SOT” që bënë që të gjitha skenarët “të hidheshin në erë”. Me “bombën” që lëshoi dje Brukseli duhet të detyrojë Frida Krifcën të japë sëpaku dorëheqjen, se në fund janë hetimet e drejtësisë së re që do të tregojnë çfarë dënimi meriton. Frida Krifca është firmë e Edi Ramës në krye të Ministrisë së Bujqësisë. Ajo do të mbahet mend për ‘synimet’ qesharake nga ngritja e akademisë së barinjve e deri tek panelet diellore në stane.
4 vjet pa financime, për shkak të korrupsionit në AZHBR
Kryeministri Edi Rama thirri dje gjithashtu një mbledhje urgjente për të diskutuar mbi veprimet që do të ndërmarrin autoritetet shqiptare, ndërkohë që nuk dihet se sa larg shkojnë zbulimet e hetimeve të OLAF dhe cilët janë zyrtarët shqiptarë të implikuar në të.