Biznesmeni më i madh në Shqipëri, Samir Mane, shfaqet disa herë në momente kyçe në dosjen e SPAK për ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.
Në mbi 300 faqe relacion që SPAK-u i ka dërguar Kuvendit për të argumentuar kërkesën për arrestimin e Arben Ahmetajt për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, dalin në pah kompanitë e Samir Manes, por emri i biznesmenit nuk përmendet në asnjë rresht.
Ndryshe nga biznesmenët e tjerë si Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Sokol Meqemeja, Sonila Goxhaj, Besmir Prifti, Gerian Kuke, Agim Zeqo, Mond Bego, Arenc Myrtezani, Andi Boni, Helidon Begaj, Eduart Manushi etj., të cilët evidentohen nga SPAK për rolin e gjithësecilit, biznesmeni Mane është shmangur nga dosja që mban emrin e kreut të SPAK-ut Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai.
Sipas dosjeve dhe disa kontratave që kemi lexuar, me kontratën nr. 1770, rep nr. 1044, datë 16.06.2017, kompania Mane TCI në cilësinë e sipërmarrësit, lidh një kontratë me shtetasin Klodian Zoto në cilësinë e porositësit, bien dakord për ndërtimin e një vile nga Mane TCI, në Blokun C në kompleksin Vala Mar në Hamallaj, me sipërfaqe 98 m2 kati përdhe, 123 m2 kati i parë dhe 517 parcelë, me vlerë 129 mijë euro.
Kompania Mane TCI me administrator Kozma Heqimi, është në pronësi të grupit Balfin, me administratore Edlira Muka. Ortak i Vetëm i shoqërisë Balfin është Samir Mane. Në 20 qershor, kompania Mane TCI njoftonte Klodian Zoton mbi ecurinë e punimeve në vilën në Vala Mar.
Në vitin 2014, biznesmeni Gerian Kuke ka lidhur një kontratë Green Coast. Kuke i ka dhënë Green Coast 13 mijë m2 tokë në Dhërmi, ndërsa në këmbim do të merrte 24 % të ndërtimit të vilave Green Coast. Kompani Green Coast me administrator Armando Alicanaj është në pronësi të grupit Balfin, me pronar Samir Mane.
Sipas dosjes së SPAK, me 19 shkurt 2018, Mane TCI lidh një kontratë me Klodian Zoton, për revokimin e kontratës nr. 1770, rep nr. 1044, datë 16.06.2017, për vilën në Valamar, e cila ndërkohë kishte kaluar në duart e Arben Ahmetajt.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se Arben Ahmetaj, bashkëjetuesja e tij Eriola Hoxha dhe motra e Ahmetajt, Brunilda Mene (Ahmetaj), kujdeseshin dhe ndiqnin nga afër punimet në vilë që në vitin 2017.
Pikërisht në këtë datë, në 19 shkurt 2018, Mane TCI lidh një kontratë të re me Gerian Kuke, gjoja si shktojcë e kontratës së 2014 për vilat në Dhërmi, tashmë duke i dhënë vilën që gjoja kishte porositur Klodian Zoto.
Sipas hetimeve, kemi të bëjmë thjeshtë me një mashtrim dhe kontratë fiktive nga kompania e Samir Manes dhe Arben Ahmetajt, për të mbuluar vilën që Ahmetaj e kishte siguruar me paratë e inceneratorëve.
Gerian Kuke, mik i besuar i ish ministrit Ahmetaj, është përdorur vetëm për të kamufluar vilën, e cila më pas ka kaluar në pronësi të Erjola Hoxha, bashkëjetuesja e Arben Ahmetajt.
Sipas dosjes, edhe pse Mane TCI kishte lidhur një kontratë me Gerian Kuke, sërish kompania me anë të Ilda Tropili, i dërgonte e-mail Klodian Zotos në 10 korrik 2018 për zhvillimet në vilën e Arben Ahmetajt.
Provat e zbuluara nga SPAK implikojnë kompaninë Mane TCI në mashtrim, kontrata fiktive dhe në pastrimin e parave të Arben Ahmetajt./Replika.al