Kërkesa e SPAK për arrestimin e ish zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj ka mbërritur zyrtarisht mëngjesin e sotëm në zyrat e Kuvend të Shqipërisë.
Burime nga PS për VoxNews bejne me dije, se grupi nuk eshte njohur ende me kerkesen e spak. Sapo të njihet do të mbahet një qëndrim zyrtar. sipas të njëjtave burime bëjnë me dije se PS nuk do të jetë mburoj për asnjë person që ka shkeluir ligjin.
Përgjegjësia është individuale dhe çdo individ duhet të përballet me drejtesinë.
Mandati i Arben Ahmetaj i kalon Dallëndyshe Bici, që sipas votës preferenciale ka marrë më shumë vota se kandidatët e tjerë në listën jo fituese të PS-së për Tiranën.
Dallandyshe Bici zëvendësoi Artan Lamen në krye të Kadastrës dhe nëse Bici nuk do ta marrë mandatin e deputetit, atëherë do të jetë juristi Plarent Ndreca që e merr mandatin e deputetit, pasi sipas votës preferenciale ka marrë 4008 vota në qarkun e Tiranës.
Çfarë thotë rregullorja e Kuvendit:
Sipas rregullores së Kuvendit kryetarja Nikolla vë në dijeni Këshillin e Mandateve dhe Rregulloreve të marrë në shqyrtim kërkesën e SPAK.
Brenda 2 javësh duhet të përpilojë një raport që do të kalohet në kuvend. Raporti do të hidhet në votim dhe do të vendoset nëse do të pranohet apo jo dhënia e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës.
Edhe Ahmetaj do të ketë mundësi të paraqesë pretendimet e tij lidhur me këtë kërkesë. Kuvendi vendos me votim të hapur nëse do të lejojë autorizimin për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës
Çfarë parashikon neni 118 i Rregullores se Kuvendit
Dhënia e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës
1. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokurori.
Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.
2. Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.
3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.
4. Shqyrtimi i kërkesës për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo të kontrollit personal ose të banesës të një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.
Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës ndaj deputetit.
5. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.
6. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar proçedimin penal Nr. 277/1 të vitit 2022 për veprat penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” , “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar respektivisht nga nenet 257/a, 260, 245, 287 të K.Penal.
Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, në kuadrin e procedimit penal të mësipërm, ka paraqitur kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit:
• Arben AHMETAJ, i biri i Nevruz dhe i Ferdane, datëlindja 28.06.1969, lindur në Gjirokastër, me nr personal G90628061Q.
Ky shtetas, rezulton se ka marrë cilësinë e personit nën hetim, në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të:
• “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal,
• “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;
• “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.















