Tre punonjës të burgut të Peqinit janë pezulluar nga detyra nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi akuzohen se kanë lejuar futjen e lëndëve narkotike në qelitë e burgut.
Bëhet fjalë për shtetasit: S.G me funksion punonjës i rolit të mesëm në IEVP Peqin; S.G. me funksion punonjës i rolit bazë në IEVP Peqin dhe Xh.B. me funksion punonjës i rolit bazë në IEVP Peqin.
Ndaj tyre ka filluar një hetim dhe gjykata e Elbasanit ka caktuar masat e sigurimit personal shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
“Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në bazë të materialit dërguar nga SHKBB, ka regjistruar procedimin penal, pasi shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë lejuar futjen e lëndëve narkotike në IEVP Peqin me qëllim shitjen dhe përfitimin e vlerave monetare, kjo e kryer në kohë dhe periudha të ndryshme. Veprimtaria e paligjshme është dokumentuar në të paktën tre raste nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve.” thuhet në njoftimin e AMP.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

