Rënia e euros po thyen rekorde të reja historike këtë javë. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të enjten në minimumin e ri historik prej 109.4 lekësh.
Monedha europiane ka humbur 1.2 pikë ose rreth 1.1% në raport me lekun vetëm kësaj jave. Me bazë vjetore, rënia e kursit të euros ndaj lekut ka arritur tashmë në 9.2%.
Megjithëse forcimi i lekut kundrejt euros është tashmë një tendencë e qëndrueshme në vitet e fundit, ritmet e forcimit të monedhës vendase në muajt e fundit janë mjaft të shpejta dhe përtej parashikimeve të agjentëve të tregut.
Ekuilibrat e kursit të këmbimit në Shqipëri vazhdojnë të përcaktohen kryesisht nga flukset valutore hyrëse, ndërsa ndikimi i faktorëve fondamentalë që përcaktojnë kursit në ekonomitë e zhvilluara duket të jetë më i dobët.
Aktualisht, norma bazë e interesit të euros është ndjeshëm më e lartë krahasuar me lekun dhe kjo premisë në teori duhet ta bënte monedhën europiane më atraktive për investitorët dhe të ndikonte në mbiçmimin e saj. Në fakt, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe rritja e normave të interesit të euros në tregun financiar shqiptar është përcjellë në mënyrë shumë marxhinale, si tek depozitat, ashtu edhe te kreditë.
Një monedhë kombëtare më e fortë i bën më të lira importet dhe në teori përbën një barrier ndaj inflacionit të importuar. Megjithatë, një tendencë e tillë për konsumatorët shqiptarë nuk është ende shumë e prekshme, edhe për shkak të faktit se presioneve inflacioniste në rritje nga faktorët e tjerë dhe sidomos nga tregu i punës.
Rënia e euros megjithatë ka një ndikim direkt në uljen e kostos së kredive në euro për atë shumicë të huamarrësve shqiptarë që i ka të ardhurat e veta në lekë. Forcimi i lekut po balancon rritjen e normave të interesit, si rezultat i rritjes së indeksit benchmark, Euriborit.
Por, rënia e shpejtë e euros po bëhet një problem gjithnjë e më i madh për bizneset eksportuese, me një efekt direkt negativ mbi bazën e tyre të të ardhurave dhe mbi marzhet e fitimit./Monitor