Ministrat e rinj të qeverisë së përkohshme të Greqisë që do të drejtojë vendin deri pas zgjedhjeve të 25 Qershorit, bënë sot betimin tek Presidentja Katerina Saqellaropulu.
Qeveria e re përbëhet nga 19 ministra teknicienë. Kryeministri Ioanis Sarmas, që drejton Gjykatën e Auditit, e bëri të enjten betimin.
Si ministër i Jashtëm është caktuar Vasilis Kaskarelis, një diplomat me një karrierë 35-vjeçare që ka mbajtur edhe postin e ambasadorit grek në Uashington, pranë Bashkimit Europian, në NATO dhe Kombet e Bashkuara.
E teksa Parlamenti pritet të mblidhet në fundjavë dhe pas miratimit të qeverisë do të shpërndahet për 2 – 3 ditë, në partinë më të madhe të opozitës Syriza ka nisur përçarja.
Kryesia po ndahet në dy grupime, njëri që mbështet kryetarin Tsipras dhe tjetri që kërkon një drejtim kolegjial të partisë.
Syriza u përfshi edhe nga skandali pasi 5 anëtarë të saj u arrestuan teksa përpiqeshin të blinin vota para zgjedhjeve të së dielës në veri të vendit.

