Sipas deklaratës së Enkelejd Alibeaj, ditën e nesërme pritet të mblidhej Kryesia e PD-së ku do t’i komunikonte dorëheqjen nga posti i komanduar i kryetarit të partisë dhe nga posti i kreut të grupit parlamentar, por sipas ish-kandidatit për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko kjo gjë nuk do të ndodhë.
Ai ka ngritur dyshime mbi sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi, se “diçka po luhet aty”, pasi ky i fundit nuk i ka njoftuar për mbledhjen e Kryesisë. Ai la të kuptohet se dikush e kishte bërë me qëllim diçka të tillë. Bardhi pas dorëheqjes së Alibeajt njoftoi se do të zhvillonte një takim me Jorida Tabakun.
I ftuar në Report Tv, Bejko thotë se dorëheqja e Enkelejd Alibeajt ishte e papritur për të pasi ish-kryetari tashmë nuk e kishte diskutuar me askënd.
“Atij që i lëviz fijet në PD që një orë e më parë të nisin procesin në PD. Procesi të drejtohet nga një grup kolegjial dhe jo nga një individ. Demokratët të bashkohen dhe të vijnë”, u shpreh Bejko.
Kujtojmë se Roland Bejko sulmoi edhe ditën e djeshme Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun për mos ndihmë në fushatë dhe krijimin e një klime jo të shëndetshme brenda partisë. Ai deklaroi se Bardhi ka ndihmuar kandidatin e Berishës në zgjedhjet lokale të 14 Majit, ndërsa Tabaku nuk u shfaq asnjë ditë në fushatë, por hidhte foto nga Bjeshkët e Namuna.