Përfaqësuesi ligjor i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Fabian Topallaj, kishte paraqitur një kërkesë në KQZ për ndryshimin e emrit të partisë në Lëvizja Progresiste për Zhvillim Kombëtar.
Në lidhje me këtë kërkesë, kryekomisioneri, Ilirjan Celibashi, pasi ka shqyrtuar rastin në fjalë, është shprehur se partia do të regjistrohet në zgjedhje me të dhënat që janë në dokumentacionin e regjistrit të Gjykatës së Tiranës, pra sipas tij, ndryshimi i emrit nuk është i mundur.
“Emri i Partisë dhe të dhënat e tjera do të jenë ato sipas dokumentacionit të regjistrit të Gjykatës së Tiranës”, është shprehur Celibashi.
Kujtojmë se kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar është deputeti Dashamir Shehi dhe ky subjekt politik ka garuar krahë Partisë demokratike në zgjedhjet e mëparshme. Fabian Topollaj është koordinator i partisë Bindja Demokratike, por dy partitë kanë vendosur të garojnë bashkë në zgjedhjet e 14 Majit.

