Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur mesditën e sotme Kryesinë e PD-së për të diskutuar në lidhje me hapat që do të ndërmarrin pasi Gjykata e Apelit i la vulën e partisë Enkelejd Alibeajt për zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka hedhur akuzat të rënda ndaj ambasadores Yuri Kim dhe kryeministrit Edi Rama, që sipas tij, kanë ndërhyrë tek gjykatësja e Apelit për të marrë këtë vendim. Ai shtoi më tej se vendimi u shkrua nga Edi Rama dhe u dërgua në gjykatë nga Elira Kokona, ndihmësja e Ëngjëll Agaçit.
Berisha deklaroi se Rama dhe Yuri Kim pasi dështuan me bravën, tani po mundohen ta ngjallin Lulzim Bashën me vulën. Ai deklaroi se më vonë do të mbledhë grupin parlamentar, kandidatët për bashkitë dhe më pas Këshillin Kombëtar.
Vendimi i djeshëm është turp dhe faqe e zezë. Vendimi u shkrua nga Edi Rama dhe u dërgua në gjykatë nga Elira Kokona, ndihmësja e Don Agaçios, e shquar për vendime korruptive, dhe u lexua. Me këtë rast, u them demokratëve, që sigurisht se Edi Rama mendoi të na japë një goditje. Por në të vërtetë na dha një kushtrim. Ai nxori fytyrën e tij siç e ka. I gatshëm dhe i aftë të marrë çdo vendim, të mbajë çdo qëndrim. Të gjithë ata që u angazhuan në luftën kundër opozitës, janë në llojin e tyre McGonigalë, pavarësisht rolit që kryejnë, ambasadorë apo këshilltarë. Opozita shqiptare do mbetet opozita më properëndimore në historinë e vendit dhe të rajonit. Demokratët janë sot të thirrur të vazhdojmë revolucionin tonë. Janë ata që veprojnë në këtë mënyrë, që u kemi kallur tmerrin dhe datën. Janë ata që kërkojnë në mënyrat më antiligjore, më antikushtetuese që të na largojnë nga gara. Janë ata që mendojnë se në këtë mënyrë, do gjejnë paqen që nuk e meritojnë. Në fakt do u rezervojmë të kundërtën.
Ne jemi mbledhur këtu për të diskutuar për situatën e krijuar. Sot pasdite mblidhet grupi parlamentar. Nesër do mblidhen kandidatët dhe në darkë Këshilli Kombëtar. Vendimet janë të një rëndësie të jashtëzakonshme. Cilat do jenë qëndrimet tona para këtij akti të turpshëm. Akt ekstrem armiqësor ndaj nesh. Nga një mafie që nuk ka asnjë parim. Që nuk respekton asnjë ligj. McGonigalët dhe Edi Rama, me kombinacionet e tyre morën peng Lulzim Bashën. A është vetëm kjo? Jo. E ka me shkrim guvernatorja: Që do shkatërrohet PD-ja. Kur ajo bënte presione të jashtëzakonshme për të realizuar qëllimet, shkatërrimin e opozitës. Qëllimi i saj ishte të mbante Lulzim Bashën, njeriun e financuar nga rusët, në krye të PD-së. Ky ishte qëllimi! Dhe vazhdohet më tej, haptas deklaroi se nuk ka rëndësi kush voton dhe si voton, ka rëndësi kë emëron ajo kryetar. Pasi iku Lul Brava, u përqendrua te AliBasha. I cili ju siguroj se pas ditës se djeshme, nuk ka as 10 vetë pas vetes.”deklaroi Sali berisha.















