Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se ushtarët dhe nënoficerët do të jenë kategoria tjetër, të cilat do të jenë pjesë e “pakos së madhe”.
Ata do të shpërblehen me 200 mijë lekë nga paketa e mbështetjes për përballimin e inflacionit të luftës që ka miratuar Qeveria këtë fundviti. Edhe zjarrfikësit do të marrin një shpërblim prej 200 mijë lekësh.
“20 000Lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe do u shpërndahen ushtarëve bazë e nënoficerëve që pavarësisht rritjes së konsiderueshme të pagave këtë vit për gjithë ushtarakët tanë, janë ata që paguhen më pak se sa të tjerët në Forcat e Armatosura dhe kështu do të ndihmojnë familjet e tyre me zerimin e impaktit të inflacionit të luftës në këtë periudhë të vështirë për të gjithë”, shkruan Rama.
“Rritja e pagave me 15% këtë vit për zjarrfikësit, bashkë me 20 000Lekët (e reja) nga Pakoja e Madhe e këtij dimri të vështirë për mbarë Europën, do ta bëjnë praktikisht zero impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin e familjeve të tyre, ndërkohë që paga për ta do të vijojë të rritet më tej, si mbështetje e domosdoshme për një shërbim gjithnjë e më të kërkuar, në kushtet kur zjarret po bëhen një problem i madh për gjithë botën”, ka shkruar ai.