Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vuri alarmin e kuq për nivelin e lartë të rrezikut që paraqesin kontratat koncesionare (PPP) në ekonominë shqiptare dhe kryesisht në stabilitetin fiskal.
Klasifikimi i PPP-ve me nivelin më të lartë të rrezikut për ndikimin në buxhet u bë në Deklaratën e Bordit të Drejtorëve të FMN pas vizitës së stafit teknik të Fondit në Tiranë dhe raportin që e shoqëron këtë deklaratë.
“Projektet e keq-hartuara të Partneriteteve Publike-Private (PPP) për investime në infrastrukturë mund të pengojnë efikasitetin e investimeve publike dhe të bëhen shkak për të krijuar detyrime të mëdha, të cilat mund të dëmtojnë qëndrueshmërinë e borxhit” lajmëroi FMN.
“Asnjë ndryshim domethënës nuk është bërë në kuadrin ligjor mbi PPP-të. Këto kontrata ishin sa 40 për qind të PBB-së 2022, por vlerat e projekteve ekzistuese dhe atyre në proces, vazhdojnë të hartohen jashtë procesit buxhetor”, thuhet në deklaratën e FMN-së.
“Qeveria e Shqipërisë e Shqipërisë duhet të dyfishojë përpjekjet për të forcuar kapacitetin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MOFE) për të luajtur një rol efektiv si një barrierë në përzgjedhjen e projekteve dhe për t’u angazhuar aktivisht në vlerësimin dhe monitorimin e kontratave” këshilloi FMN.
Raporti i FMN vuri në dukje se Ministria e Financave të Shqipërisë iu ka thënë ekspertëve të Fondit se ka rritur kapacitet në analizat kosto -përfitime të projekteve të reja, PPP, por ka pranuar se nuk po ushtron monitorim të zbatimit të kontratave për arsye të mungesës së burimeve njerëzore.
Transparencë urgjente për fondet e tërmetit dhe pandemisë
Fondi gjithashtu vuri në dukje se qeveria duhet të minimizojë ndryshimin e buxhetit me akt normativ në mënyrë që të ruajë besueshmërinë fiskale.
FMN gjithashtu nxiti Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe ente të tjera audituese të ushtronin inspektime mbi përdorimin e fondeve të tërmetit dhe më pas raportet ti bënin transparente.
Mungesa vazhdueshme e kapaciteteve për vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve fiskale është shndërruar në shqetësim për Fondin.
Raportet e rreziqeve fiskale, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me detyrimet e Ndërmarrjeve Shtetërore duhet të pasurohen më tej dhe të bëhen më largpamëse. Fondi rekomandoi krijimin e një mekanizmi për të siguruar monitorim sistematik në lidhje me ecurinë e huave të vazhdueshme të qeverisë ndaj Ndërmarrjeve Shtetërore.
Në vazhdim, kushtet për dhënien e huave dhe garancive për Ndërmarrjet Shtetërore dhe komunat duhet të bëhen më të rrepta për të menaxhuar më mirë rreziqet, rekomandoi FMN.
“Pavarësisht reduktimeve në stokun e përgjithshëm, detyrimet e prapambetura vazhdojnë, veçanërisht lidhur me projektet e investimeve dhe çështje gjyqësore dhe gjithashtu puna për përmirësimin e të dhënave për detyrimet e prapambetura duhet të vazhdojë, veçanërisht në lidhje me gjurmueshmërinë dhe automatizimin e të dhënave”, cilësoi Fondi.
Strategjia e re që do të finalizohet më 2023, duhet të adresojë reformat e paplota për parandalimin e detyrimeve të prapambetura, rekomandoi Fondi./Monitor