Kreu i PD, Sali Berisha, ka organizuar këtë pasdite një takim me prindër dhe mësues të kopshtit ‘Zubeyde Hanim. Berisha shprehet se kryeministri Edi Rama pranon që Shqipëria të trajtohet si një vend vasal i Ankarasë ndërsa shtoi më tej se Erdogan s’mund të sundojë në vendin tonë vetëm sepse ka ndërtuar një xhami.
Sali Berisha u shpreh se kolegji ‘Mehmet Akif’ ka nxënësit në universitet me të mira të botës dhe ekselenca, i ka pedagogë në universitetet më të graduara në SHBA, ndërsa kryeministri Edi Rama i vë drynin.
Nuk është rruga të trajtohesh sikur je një provincë e Ankarasë, apo Anadollit dhe të të mbyllin kopshtin. Marrëdhëniet në rangun personal Erdogan-Rama janë jashtëzakonisht problematike, ai punon për pushtetin e Edi Ramës, por shkel të gjitha rregullat, sepse Edi Rama pranon që vendi të trajtohet si një vend vasal i Ankarasë, por kështu nuk ndërtohet partneriteti, miqësia. Çdo vend ka interesat e tij ndaj një vendi tjetër, por janë brenda të gjitha akteve.
Unë jam shumë i revoltuar dhe ju garantoj se do të jem një zë i fuqishëm në mbrojtje tuaj. E gjithë Shqipëria është me ju.
Kjo që ka ndodhur është në shkeljen më flagrante të të drejtave të fëmijëve, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut që ne jemi firmëtarë.
Do të shikohet mundësia e padisë së tij, në të gjitha gjykatat. Ky është akt terrorist ndaj fëmijëve, që e ushtron Edi Rama me urdhër të padronit të tij. Kjo është e vërteta.
Kur arrin dhe merr një vendim për të ua mbyllur kopshtin 250 fëmijëve, prisni ju se çfarë do të ndodhë me Komunitetin Mysliman. Por unë këtë e quaj më të rëndësishme, këtë të kopshtit e quaj të papranueshme. Është akt terrorist psikologjik ndaj fëmijëve.
Ka ndërtuar një xhami dhe kërkon të sundojë një Shqipëri. Jo more zotëri, atë xhami do të ja paguajmë një për një. Nuk mund të sundohet Shqipëria se ndërton një xhami.”-tha Berisha.