SHKODËR- Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmë Shkodrën. Dy persona të maskuar dhe me motor ekzekutuan në lokal Erjon Xhenjen, 19-vjeç.
Nëna e Endri Mustafës, Fahrije Mustafa, nxjerr emra të tjerë, të cilët i akuzon se janë implikuar në vrasjen e të birit. Ajo thotë se djalin e saj e ka vrarë Edison Arazi, me nofkën ‘Coli’.
“Ergysi na ka ardhur në shtëpi dhe ka lyp kalin për Astmer Bilalin, se nji ky Ergysi është shoku që hyn del natë-ditë ke Astmer Bilali. Djali jem nuk është marrë as me Ibrahim Licin as me Astmerin. Shokë i ka pas, por ka thënë gjithmonë, se unë nuk merem me ta… Ka dalë djali jashtë, ka ndejt nja 10-15 minuta dhe i ka thanë nuses mi baj teshat gati se du me ik me Ergysin deri në Livadhe dhe për 10 minuta vij. Unë i thashë mos moj nanë mos shko me të se të nxjerrë në pritë, se kush e di se ça të ka ba. Por djali m’u përgjigj se për 10 minuta vjen në shtëpi dhe ai nuk më erdhi më, s’më hapte celularin, ma ka qit djalin për paret, ma ka shuar shtëpinë, ah ça më ka bërë ky djalë. Ky është mostër i tan botës, njeri i poshtër që më ka marrë në qafë. Djali më tha nan mos u bëj merak se nuk jam vetëm se jam edhe me “Colin”. Unë tash e kam marrë vesh se “Coli” është Edison Arazi. Ergys Arazi dhe Edison Arazi, janë shokët e Astmer Bilalit dhe kanë ndejt ditë-natë tek Astmer Bilali dhe aty është bërë gjurulldia. Kjo është meseleja që thoni se jo është Ibrahim Lici jo ai. Askërkush nuk është dhe unë këto gjëra i kam dhënë në deklaratën qysh në fillim. Edison Arazi ma ka nxjerrë djalin në pritë me Ergysin. Edison Arazi është që më ka vra djalin. Unë prej këtyre të dyve, kërkoj djalin me drejtësi…”,-deklaronte e ëma.
Viktima Erjon Xhenje
Edhe në vrasjen e mbrëmshme përmendet emri i Bilalit. I riu, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e kaluar në një lokal në Shkodër, punonte në fermën e kuajve në pronësi të Asmer Bilalit. Erjon Xhenje kishte lidhje me emrin e njohur të botës së krimit në Shkodër dhe paraprakisht dyshohet se atentati mund të ketë lidhje me rivalitetin e bandave të dy fiseve, Bajri dhe Lici. Po ashtu, Erjon Xhenje është i afërm i Sehar Xhenjës, i cili është në kërkim për tentativë vrasjeje pasi qëlloi me armë drejt automjetit me të cilin po lëvizte Taulant Pepaj në shkurt të vitit 2021. Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe Eljon (Esmeraldo) Hato, 31 vjeç dhe dhe Shkelzen Xhenja, 29-vjeç.
Asmer Bilali, është me precedentë penalë të mëparëshëm në policinë e Shkodrës si i dyshuari kryesor për plagosjen e Hermes Beqirit në një nga lokalet e qytetit. Për ngjarjen e ndodhur në vitin 2017, Asmer Bilali u arrestua në fshatin Grudë ku ishte larguar me motorin e tij për t’ju fshehur Policisë. Atij iu gjet edhe një armë tip pistoletë që mendohet se është përdorur për kryerjen e krimit. Pas lirimit, Bilali u kap edhe njëherë tjetër gjatë operacionit “Oaz”, e në 23 Dhjetor 2020, Gjykata e Shkodës e dënoi me 3 vite burg për veprat penale: mbajtje pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit; parapërcaktim i rezultateve sportive dhe ndërtim të paligjshëm.
E ndërkohë që ndodhej në burg, më 30 mars 2019, iu vranë në derën e shtëpisë babai dhe xhaxhai, Ibrahim dhe Atsrit Bilali. Për vrasjen e tyre u arrestuan 29-vjeçari Arsen Stojku dhe 23-vjeçari Myslym Rama nga Vau i Dejës. Ndërsa në kërkim u shpallën Ibrahim Lici dhe D. B.