Serie A po shfaq ndryshime të dukshme pas 12 javëve të para të sezonit, me rritje të ndjeshme të golave, të rinj në skenë dhe ndryshime në arbitrim që po ndikojnë në ritmin e lojës. Në 120 ndeshje janë regjistruar 379 gola, shifra më e lartë në shtatë vitet e fundit dhe 100 gola më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur pas 12 javësh ishin shënuar 279 gola. Vetëm dy barazime pa gola janë regjistruar këtë sezon (Como-Roma dhe Parma-Udinese), ndërsa më parë ishin katër të tilla. Mesatarja e golave për ndeshje është 3,15, më e ulëta vetëm se ajo e Bundesligës.
Një faktor kyç në këtë zhvillim është ndryshimi i qasjes së arbitrimit nën drejtimin e kryetarit të ri, Orsato. Linja e re është drejt zvogëlimit të ndërprerjeve dhe tolerimit më të ulët ndaj faulleve të lehta, çka ka rritur kohën efektive të lojës nga 54 minuta e 32 sekonda në 58 minuta e 7 sekonda mesatarisht. Më shumë minuta të luajtura reale rrisin lodhjen e futbollistëve dhe mundësitë për gabime, duke kontribuar në më shumë gola.
Gazeta amerikane The Athletic ka kushtuar vëmendje transformimit, me një artikull të titulluar “Serie A, shtëpia e re e golave dhe yjeve të rinj”. Përveç golave, kampionati po jep hapësirë për talente të reja: klube si Monza, Frosinone, Parma, Sassuolo, Cagliari, Como, Torino, Venezia, Roma dhe Genoa kanë moshën mesatare të skuadrave midis 23 dhe 26 vjeç. Emra si Pio Esposito, Alphadjo Cisse, Mattia Liberali, Simone Lontani dhe Matteo Palma përmenden si shenja të një të ardhme më të ndritur, ndërsa lojtarë si Paz, Matias Soulé, Franco Mastantuono, Rodrigo Mora dhe Diego Moreira janë përmendur për performancat e tyre.
The Athletic vë në dukje gjithashtu se Premier League ka mesataren më të ulët të golave ndër pesë ligat kryesore, me ndeshje më fizike dhe të karakterizuara nga goditjet standarde. Në këtë kontekst, rikthimi i spektaklit në Serie A mund ta rrisë tërheqjen ndërkombëtare të kampionatit dhe të ndikojë në të ardhurat nga shitja e të drejtave televizive, duke hapur rrugën për një rikthim të mundshëm të futbollit italian në nivele më të larta.

