Melania Trump ka hapur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e Krishtlindjeve në Shtëpinë e Bardhë, duke mirëpritur bredhin tradicional festiv, të gjatë 18 metra. Zonja e Parë u shfaq me një pallto-fustan me kuadrate të kuqe e të bardha dhe këpucë me taka bordo, teksa priti pemën para rezidencës presidenciale në Uashington. Bredhi, i llojit Concolor, u transportua nga ferma familjare “Silent Night Evergreens” në Endeavor, Wisconsin, dhe do të vendoset në Dhomën Blu, si elementi qendror i dekorimeve të këtij viti.
Pema, pothuajse 20-vjeçare, ishte rreth 30 metra kur u përzgjodh në fermë në shtator. Ajo u pre më 17 nëntor dhe më pas nisi udhëtimin drejt kryeqytetit. “Është një pemë e bukur. Jam mirënjohëse për familjen dhe shëndetin, dhe i uroj të gjithëve Krishtlindje të gëzuara”, u shpreh Melania për gazetarët, sipas raportimit të grupit të gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Familja Chapman, pronare e fermës ku u rrit bredhi, u përshëndet nga Melania. Bredhi u kultivua nga David dhe Leah Chapman, të cilët udhëtuan drejt Uashingtonit së bashku me vajzat Madilyn dhe Reagan. Ferma fitoi të drejtën për të furnizuar Shtëpinë e Bardhë pasi triumfoi në konkursin kombëtar të Shoqatës Kombëtare të Pemëve të Krishtlindjeve, me një bredh të llojit Balsam. Kjo është hera e katërt që “Silent Night Evergreens” furnizon rezidencën presidenciale (1998, 2003, 2017 dhe tani).
Lidhja familjare me traditën shtrihet në tri breza; gjyshërit e David Chapman kishin furnizuar Shtëpinë e Bardhë në 1988. Transportin e pemës e kryeu Chuck Jensen, veteran ushtarak dhe drejtues kamioni në FedEx Freight me më shumë se 36 vjet përvojë, i cili e konsideroi detyrën “nder të veçantë” dhe tha: “Është nder të përfaqësoj veteranët dhe të sjell këtë pemë Krishtlindjesh në Uashington”.
Tema e dekorimeve këtë vit është “America in Bloom” (Amerika në lulëzim); detajet e plota nuk janë bërë publike. Vullnetarët do të angazhohen për dekorimin, ndërsa rezultati do t’u prezantohet gazetarëve më 30 nëntor. Mes të përzgjedhurve është Kaila Ramos, luleshitëse nga Luiziana, zgjedhur nga më shumë se 15,000 aplikantë; ajo tha: “Do të doja që të kishte një Krishtlindje tradicionale” dhe se do të sjellë “disa elemente të traditës së Jugut”. Vitin e kaluar tema ishte “Home Is Where the Heart Is”. Palltoja e Melania-s, e dizajnuar nga Gabriela Hearst dhe shitur për rreth 4,900 dollarë, ishte e njëjta që ajo kishte veshur më 5 dhjetor 2019 në ceremoninë e ndezjes së dritave të Pemës Kombëtare.
