Dokumentet e brendshme tregojnë se një projekt i braktisur i FIFA-s, i quajtur FIFA Forward Enterprise (FFE), parashikonte përfshirjen e investitorëve privatë në një strukturë financiare me afat të gjatë. Sipas memorandumit të datës 17 korrik, propozimi ishte përgatitur para një votimi të planifikuar më 18 korrik në Nju Jork dhe në qendër të tij shihej kompania Thrive e Joshua Kushner si investitori potencial kryesor.
Projekti, që më vonë u braktis, parashikonte një strukturë funksionimi totale prej 96 vjetësh. Brenda kësaj strukture, Thrive do të përfitonte një licencë fillestare 12-vjeçare me mundësi rinovimi. Dokumentet detajojnë edhe kushtet financiare dhe penalitetet: FIFA mund të përballej me penalitete deri në 250 milionë dollarë në rast se do të vendoste të ndërpriste marrëveshjen ose të bashkëpunonte me një investitor tjetër.
Një tjetër element i propozuar ishte ndarja e 5% të aksioneve të FFE-së për bonuse të drejtuesve të projektit, bazuar mbi një vlerësim fillestar prej 20 miliardë dollarësh. Po ashtu, drejtimi i strukturës ishte përcaktuar në mënyrë të veçantë: presidenti në detyrë i FIFA-s do të mbanin edhe postin e kryetarit të FFE-së.
Megjithëse dokumentet përshkruajnë kushtet e propozuara, projekti nuk mori formën përfundimtare dhe propozimi u braktis para miratimit. FIFA ka sqaruar se edhe nëse iniciativa do të kishte marrë miratimin në fazën e parë, ajo do të kishte kërkuar më tej aprovimin e Këshillit të FIFA-s dhe të federatave anëtare.
Dokumentet zbulojnë një vizion për një marrëdhënie afatgjatë midis FIFA-s dhe kapitalit privat, me kushte të detajuara për licencim, drejtim dhe penalitetet financiare që do të rregullonin bashkëpunimin e mundshëm. Megjithatë, plani nuk u përfundua dhe mbetet i braktisur. Top Channel.
