E ardhmja e kontingjentit amerikan në Kosovë mbetet e pasigurt në kuadër të rishikimit të pranisë ushtarake të SHBA-së në Europë. Gjermania ka konfirmuar se është në koordinim të vazhdueshëm me Uashingtonin dhe aleatët e NATO-s për të ardhmen e KFOR-it, por nuk sqaroi nëse është diskutuar konkretisht reduktimi i trupave amerikane në Kosovë.
Sipas një burimi të Radios Europa e Lirë, ekziston një plan për reduktim të ndjeshëm të numrit të ushtarëve amerikanë në Kosovë, nga rreth 650 aktualisht në afërsisht 50 deri në shkurt të vitit 2028. Ky informacion nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur dhe as SHBA-ja apo NATO-ja nuk e kanë konfirmuar publikisht një plan të tillë.
Rishikimi vjen pas konsultimeve të 17 nëntorit në Bruksel, ku aleatët e NATO-s diskutuan me zyrtarin e lartë të Pentagonit, Elbridge Colby, për riorganizimin e pranisë amerikane në Evropë. Uashingtoni synon të përshtatë shpërndarjen e forcave sipas prioriteteve globale, përfshirë rajonin Indo-Paqësor, duke theksuar se kjo nuk nënkupton tërheqje nga angazhimet evropiane.
NATO-ja ka paralajmëruar një përshtatje graduale të pranisë së saj në Kosovë, me synimin për t’u kthyer në nivelet e para vitit 2023, kur u shtuan përforcimet pas tensioneve në veri dhe sulmit në Banjskë. Aktualisht, në kuadër të KFOR-it shërbejnë mbi 4.600 ushtarë nga vendet anëtare dhe partnere. Çdo reduktim do të varet nga vlerësimet e sigurisë dhe mund të pezullohet nëse situata në terren përkeqësohet.
Gjermania, e pyetur nëse mund ta shtojë kontributin e saj në rast të reduktimit amerikan, nuk ka dhënë një zotim konkret. Parlamenti gjerman ka miratuar vazhdimin e mandatit të trupave të saj në KFOR, duke lejuar dislokimin e deri në 400 ushtarëve. Një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes për Radion Evropa e Lirë tha se hollësitë e planifikimit të misionit nuk mund të bëhen publike për arsye sigurie.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë të pranishme në Kosovë që nga viti 1999 dhe udhëheqin Komandën Rajonale Lindje të KFOR-it, me seli në kampin Bondsteel, pranë Ferizajt. NATO-ja thekson se mandati i KFOR-it dhe angazhimi i saj për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës mbeten të pandryshuara.
