Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se Ukraina qëndron pas sulmit me dronë detarë ndaj një anije ushtarake ruse në portin ushtarak të Bengazit, në Libinë lindore, dhe njoftoi se operacioni përfundoi me fundosjen e korvetës ruse. Në një postim në X ai bëri të ditur se forcat ukrainase përdorën shtatë dronë detarë të prodhimit vendas për të realizuar sulmin, ndërsa objektiv ishte korveta “Merkury”, një prej anijeve më të reja të flotës së Moskës, e futur në shërbim në vitin 2023.
Zelensky tha se gjatë sulmit u goditën edhe mjete të tjera ushtarake: anija ruse e transportit të mallrave MV Angara, për të cilën ai pretendon se përdorej nga Moska për transportimin e armëve, dhe një helikopter ushtarak i tipit Ka-27. Presidenti falënderoi Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe forcat e tjera të mbrojtjes që morën pjesë në atë që e quajti “një operacion shembullor” dhe theksoi se “Objektivat që kishim përcaktuar u arritën”. Ai gjithashtu deklaroi: “Ne vazhdojmë operacionet tona në ujërat e përcaktuara. Po i përgjigjemi agresionit rus dhe po zhvillojmë armët ukrainase”.
Sipas raportimit të Associated Press, shpërthime të fuqishme u dëgjuan herët të dielën në bazën detare të Bengazit dhe banorët panë flakë dhe tym që ngriheshin nga zona ushtarake. Dy zyrtarë ushtarakë libianë thanë për AP se korveta “Merkury” ishte goditur nga dronët detarë ukrainas. Hetimet paraprake të autoriteteve libiane tregojnë se gjashtë dronë ishin drejtuar drejt anijes: katër u ndërprenë, ndërsa dy arritën të godisnin objektivin.
Anija ruse ndodhej në port për furnizim me karburant dhe pajisje, në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi me qeverinë që kontrollon Libinë lindore. Pas sulmit, autoritetet libiane njoftuan nisjen e një hetimi të përbashkët me Rusinë për të zbardhur rrethanat, burimin dhe autorët e goditjes.

