Një shtetas shqiptar u arrestua në Bolzano pas sekuestrimit të rreth dy kilogramëve lëndë narkotike dhe rreth 13,000 euro para të gatshme, njoftoi Policia e Bolzanos. Operacioni u zhvillua nga Seksioni Antidrogë, pas dyshimeve për aktivitet të shpërndarjes së drogës. Veprimtaria hetimore nisi në rrugën Verona, ku efektivët vunë re shqiptarin duke kryer veprime të dyshimta që lideshin me një shitje të mundshme droge, dhe më pas ndaluan automjetin që ai drejtonte.
Gjatë kontrollit në vend, i dyshuari shfaqi nervozizëm dhe dha përgjigje kontradiktore për arsyen e qëndrimit në qytet. Fillimisht deklaroi se kishte ardhur për turizëm me bashkëshorten dhe vajzën, ndërsa në veturë ishte një karrocë fëmijësh. Verifikimet e mëvonshme të policisë treguan se dy gratë ishin larguar më herët nga Italia. Ai më pas tha se ishte për punë, por nuk arriti të paraqiste prova që mbështesnin këtë pretendim.
Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën rreth 20 gramë kokainë të ndara në doza dhe të fshehura nën pjesët plastike në anën e shoferit. Në portofol u gjetën gjithashtu 315 euro, të cilat dyshohen se vinin nga aktiviteti i paligjshëm. Kontrolli vijoi në banesën e tij në komunën e Appianos, ku policia zbuloi sasi shtesë droge të fshehura në mobilie të ndryshme.
Në total u sekuestruan pjesë të mëposhtme: rreth 920 gramë kokainë; rreth 946 gramë marijuanë; rreth 57 gramë hashash; pajisje për peshimin e lëndëve narkotike; materiale për përzierjen dhe paketimin e drogës; dhe rreth 13,000 euro cash. Analizat paraprake konfirmuan se substancat e sekuestruara ishin lëndë narkotike. Sipas vlerësimit të policisë italiane, nëse droga do të ndahej në doza dhe shitej në tregun e paligjshëm, vlera e saj mund të arrinte të paktën 100,000 euro.
I dyshuari u arrestua në flagrancë dhe u dërgua në burg. Kundrejt tij rëndon dyshimi për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin e tyre.

