Manchester United publikoi shifrat e bilancit financiar për tre muajt e parë të sezonit, sipas të cilave klubi ka arkëtuar rreth 174 milionë euro, një rritje prej 4,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar kur të ardhurat ishin rreth 167,5 milionë euro.
Kontributin kryesor në rritjen e të ardhurave e kanë dhënë të drejtat televizive, të cilat janë rritur pas rikthimit të skuadrës në Ligën e Kampionëve, duke kaluar nga 35,68 milionë në 42 milionë euro. Të ardhurat nga ndeshjet u rritën 2,3%, nga 31,27 milionë në afro 32 milionë euro. Shitjet e produkteve zyrtare të klubit u rritën gjithashtu, duke arritur në 45,95 milionë euro.
Të ardhurat nga sponsorizimet pësuan një rënie prej 3%, pjesërisht për shkak të një turneu përgatitor veror më të shkurtër se zakonisht. Të ardhurat nga shitja e lojtarëve ranë në 24,7 milionë euro, ndërsa shpenzimet për përforcimin e skuadrës u rritën. Transferimet kryesore gjatë verës përfshinë Carlos Baleba, Andrey Santos dhe Youri Tielemans, me shpenzime totale për blerje lojtarësh që arritën në 170,76 milionë euro.
Megjithë shkurtime stafi në sektorë të ndryshëm pas hyrjes në pronësi të Jim Ratcliffe, shpenzimet për pagat e futbollistëve u rritën 8,6%, duke arritur në 95,34 milionë euro. Gjatë verës, klubi rifinancoi borxhin, i cili u rrit me afro 114 milionë euro, nga rreth 592 milionë në gati 706 milionë euro.
Raporti thekson se në këto të dhëna për periudhën korrik–shtator nuk janë përfshirë shpenzimet që lidhen me shkarkimin e Michael Carrick dhe stafit të tij teknik, si dhe ato për emërimin e Mauricio Pochettinos. Për të siguruar shërbimet e ish-trajnerit të përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara dhe për ta emëruar në krye të stolit të Old Trafford, Manchester United i pagoi federatës amerikane 8,70 milionë euro.

