Inspektorati i Përgjithshëm, nën drejtimin e Dashnor Sulas, ka shkarkuar katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) pas konstativave për shkelje në procedurën e kontrollit të ngarkesës prej 27 tonësh me mish derri të importuar nga Brazili, nga subjekti KING-MIT. Vendimi disiplinor erdhi pas një hetimi administrativ dhe shqyrtimi të përgjegjësive individuale, ku punonjësit akuzohen për mosverifikim të dokumentacionit dhe certifikatave përkatëse si dhe për lejimin e kalimit të ngarkesës në kundërshtim me kërkesat ligjore.
Komisioni Disiplinor, pas administrimit të dokumentacionit, zhvillimit të dy seancave dëgjimore dhe vlerësimit të përgjegjësive, vendosi largimin nga detyra për dy grupime inspektorësh. L.B., Inspektor Kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar pranë AKU-së, Durrës, u shkarkua për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit të ngarkesës, mosverifikimin e stabilimentit të autorizuar për eksport dhe të vërtetësisë së certifikatës, dhe për lejen e kalimit të ngarkesës në kundërshtim me ligjin. E.T., K.K. dhe M.G., inspektorë pranë Drejtorisë Rajonale të AKU-së, Fier, u shkarkuan për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit, mosidentifikimin e të gjitha shkeljeve të konstatuara dhe për vendosjen e një mase administrative që Komisioni e vlerësoi jo proporcionale me natyrën dhe rëndësinë e shkeljeve.
Inspektorati njofton se ka kërkuar vlerësimin e përgjegjësive të punonjësve të përfshirë, ka ngritur Komisionin Disiplinor dhe ka zhvilluar procedurat administrative përpara marrjes së vendimeve disiplinore. Për shkak të kompleksitetit të rastit dhe problematikave të konstatuara, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar gjithashtu verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së për importimin dhe inspektimin e ngarkesës, me qëllim shqyrtimin e plotë të dokumentacionit, veprimeve të kryera dhe përgjegjësive të strukturave të përfshira.
Në njoftim, Inspektorati i Përgjithshëm apelon tek të gjithë inspektorët e AKU pranë pikave të kalimit kufitar që të shmangin pakujdesinë, neglizhencën dhe çdo shkelje procedure, duke e vendosur Sigurinë Ushqimore si prioritet dhe duke deklaruar vendosmërinë për të zbatuar kuadrin ligjor dhe për të forcuar kulturën e përgjegjshmërisë.
