Rreth orës 19:30, gjatë uljes së një avioni të linjës Manchester–Rinas, menaxheri i aeroportit i njoftoi shërbimet e Policisë Kufitare se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër e shkruar në anglisht me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe. Pas marrjes së njoftimit, Policia organizoi dhe ndërhyri në pistë, duke mundësuar zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve.
Sapo u zbarkuan, u krye kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve, me ndihmën e qenve antieksplozivë. Pasagjerët u kontrolluan në grupe; fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me synimin për të identifikuar sende që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues. Gjatë kontrollit të avionit nuk u konstatuan sende shpërthyes.
Në lidhje me rastin u njoftua edhe struktura e Antiterrorit. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personit që ka shkruar letrën kërcënuese.
