Tregjet financiare janë përsëri nën presion pas rritjes së shqetësimeve mbi qëndrueshmërinë e investimeve në inteligjencën artificiale, ndërsa entuziazmi pas debutimit të suksesshëm të kompanisë Anthropic në bursë nuk mjaftoi për të qetësuar investitorët. Pas humbjeve rreth 2% në Wall Street, rënia u përhap në tregjet aziatike dhe europiane, me Bursa në Azi që mbyllën ditën me humbje të ndjeshme: Seuli regjistroi rënien më të fortë me 5.21% dhe Tokio indeksi Nikkei humbi 5,06%. Edhe Hong Kongu (-2,2%), Shanghai (-1,2%) dhe Shenzheni (-3,6%) përfunduan në territor negativ.
Presioni i shitjeve u përqendrua veçanërisht te kompanitë e teknologjisë dhe prodhuesit e gjysmëpërçuesve; aksionet e Advantest ranë me 10%, Tokyo Electron me 7%, Samsung Electronics humbi 7% dhe TSMC afroi rënien prej rreth 5%. Analistët vërejnë se investitorët po tërheqin kapital nga tregu i aksioneve dhe po lëvizin drejt instrumenteve më të sigurta financiare, sidomos obligacioneve shtetërore. Në Europë, nga Milano deri në Frankfurt e Paris, bursat nisën ditën të gjitha me humbje.
Debutimi i Anthropic, që u ofrua fillimisht me çmimin 83 dollarë, u hap me një rritje prej 34% dhe mbylli ditën në 97,17 dollarë, duke shënuar një fitim prej 17%, por kjo nuk zbuti pasigurinë midis investitorëve mbi perspektivat afatgjata të sektorit të AI. Në treg po shtohen dyshimet mbi vlerësimet gjithnjë e më të larta të kompanive teknologjike dhe mbi mundësinë që investimet masive në inteligjencën artificiale të mos justifikojnë pritshmëritë e krijuara.
Përveç shqetësimeve lidhur me vlerësimet dhe qëndrueshmërinë e rritjes së sektorit, tregjet përballen edhe me pasiguri të reja që lidhen me kufizime të mundshme të administratës Trump për eksportin e çipave amerikanë, masa që mund të ndikojnë në gjithë industrinë globale të teknologjisë.
