Elisa Spiropali bëri dje daljen e parë pas vendimeve të marra në Asamblenë e PS rreth vazhdimësisë dhe pozicionit të saj në parti. Në një intervistë në Top Story me Drida Dumën, ish-kryetarja e Kuvendit la të kuptohej se vijon të jetë pjesë e PS si anëtare e thjeshtë, por nuk dha detaje konkrete rreth qëndrimeve që do të ketë në Kuvend sa i përket vendimmarrjeve.
Ajo vuri theksin te ideja e trashëgimisë së drejtuesve, duke thënë se “Edi Rama të gjithë rrugën e tij dhe trashëgiminë duhet ta konsiderojë si pjesë të asaj depozite që duhet të lërë aty për të ardhmen.” Spiropali shprehu shqetësim për mungesën e hapësirës për diskutim brenda partisë, duke theksuar se në PS rrezikohet të jenë të alienuar socialistët e thjeshtë që nuk kanë fuqi vendimmarrje dhe që thirren vetëm kur duhet të mbrohen vendimmarrjet nga lart. Sipas saj, flitet për “grushtin e bashkuar dhe trëndafilin”, por ka shumë pak hapësira për debat.
Diskutimin për asamblenë e konsideroi qesharak, pasi, sipas saj, nuk diskutohet për çështje thelbësore. Ajo kujtoi se partitë politike janë instrumente për të ndryshuar vendin dhe duhet të ketë përgjegjësi, duke përmendur shembullin e PD të Berishës si pasojë të mungesës së dialektikës së brendshme. Spiropali konfirmoi se është anëtare e PS dhe deputete e Kuvendit, pozicione që sipas saj “nuk mund të ta heqi dot askush”.
Duke u ndalur te të rinjtë që protestojnë për një të ardhme më të mirë, ajo tha se nuk mund t’u jepet përgjigje e pakët dhe u shpreh kundër përdorimit të PS si mburojë për hallin personal në forume politike. Për rastin konkret të votimit në Kuvend për imunitetin e Ballukut, Spiropali pranoi se e dinte se do të kishte pasoja nëse do të votohej kundër, dhe deklaroi: “Nuk kam shkuar të votoj pro heqjes së imunitetit, sepse ishte një grua dhe unë jam një grua.”
Ajo tha se ka komunikuar me Edi Ramën edhe këto ditë me mesazhe, por shtoi se nuk ka “asnjë lidhje komunikimi personal me të me qëndrimin që duhet mbajtur sot” dhe shprehu besimin se heqja dorë nga modeli ekstremisht personal i kontrollit i shërben PS dhe qeverisë. Teksti është siguruar nga Top Channel.

