Një ekzekutim me injeksion vdekjeprurës në Teksas përfundoi pas një procedure të gjatë dhe të dhimbshme për të dënuarin 70-vjeçar Reynaldo Denes, i cili qëndroi mbi një orë në shtratin e ekzekutimit përpara se të shpallej i vdekur. Denes u ekzekutua të premten në burgun e Huntsville, por procedura pati probleme që në fillim: stafi i burgut hasi vështirësi për të gjetur vena të përshtatshme për vendosjen e dy linjave intravenoze për administrimin e pentobarbitalit. Pas disa përpjekjesh të pasuksesshme, gjilpërat u vendosën në këmbën e majtë dhe në anën e majtë të qafës.
Gjatë ekzekutimit, Denes rënkente, bërtiste dhe i lutej Zotit që t’ia lehtësonte vuajtjet. Ai përsëriti lutjet e fundit “Hiqma dhimbjen” dhe “Më lër të shkoj, Baba”, duke kërkuar që të mos mbetej duke vuajtur në atë gjendje. Në një moment u ankuan edhe për dhimbje të forta në këmbën e djathtë, që të dënuarit i dukej si ngërç. Më pas Denes nisi të lëshonte rënkime dhe tinguj të ngjashëm me gërhitjen; frymëmarrja e tij u bë gjithnjë e më e ngadaltë dhe procedura u përmbyll. Ai u shpall i vdekur në orën 19:08, një minutë pas ekzaminimit mjekësor, 63 minuta pas lidhjes në shtrat.
Zyrtarët e burgut thanë se ekzekutimi u krye sipas protokolleve shtetërore. Zëdhënësja Amanda Hernandez konfirmoi vështirësitë në gjetjen e venave dhe deklaroi se vendet ku u vendosën linjat përfundimtare ishin në përputhje me rregullat. Ajo nuk specifikoi numrin e përpjekjeve të dështuara dhe tha se Denes kishte raportuar dhimbje edhe përpara administrimit të substancës; nga këndvështrimi i autoriteteve, sipas saj, nuk kishte ndodhur asgjë të pazakontë.
Reynaldo Denes ishte dënuar për vrasjen e tregtarit të diamanteve Janos Schutz, i cili u gjet i qëlluar disa herë në zyrën e tij në Hjuston në janar 1996. Ekzekutimi i tij riktheu vëmendjen te çështjet që lidhen me përdorimin e injeksioneve vdekjeprurëse në burgjet amerikane, duke u vendosur gjithashtu në kontekst me një rast tjetër ku një i burgosur nuk vdiq pas administrimit të pentobarbitalit dhe përfundoi në gjendje kome.
