Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të lejojë hyrjen e deri në 100 mijë të rinjve nga vendet e Bashkimit Evropian çdo vit përmes një skeme të re të lëvizshmërisë së të rinjve, njofton “The Guardian”. Si pjesë e marrëveshjes paraprake të negociatorëve, kuota vjetore është rritur nga 50–80 mijë në 100 mijë persona, ndërsa kufiri i moshës është ngritur nga 30 në 31 vjeç. Skema do të jetë reciproke: edhe të rinjtë britanikë do të mund të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së në numër të barabartë, megjithëse disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë, janë të gatshme të pranojnë një numër të pakufizuar të rinjsh britanikë.
Qëllimi i marrëveshjes është t’u japë të rinjve mundësi më të mëdha për të jetuar, punuar dhe përfituar nga përvoja në anën tjetër të Kanalit të La Manshit. Negociatat mes Londrës dhe Brukselit vazhdojnë, ndërsa të dyja palët tentojnë të zgjidhin disa çështje para samitit të së premtes, ku pritet të nënshkruhen tre marrëveshje që synojnë afrimin e marrëdhënieve pas Brexit.
Një nga mosmarrëveshjet kryesore lidhet me rregullat evropiane për ushqimin dhe bujqësinë. Sipas propozimit aktual, Mbretëria e Bashkuar duhet të përafrojë legjislacionin e saj me standardet evropiane për sigurinë ushqimore, shëndetin e kafshëve dhe mbrojtjen e bimëve, në këmbim të lehtësimit të tregtisë së produkteve ushqimore dhe bujqësore. Britania kërkon një rol më të madh në diskutimet dhe vendimmarrjen për këto rregulla, por Brukseli nuk pranon t’i japë Londrës të drejtën e votës; Britania mund të konsultohet, por nuk do të ketë të drejtë vote. Francia shihet si një nga kundërshtaret kryesore të përfshirjes më të madhe të Britanisë në grupet e punës të BE-së për këto çështje.
Një tjetër çështje e pazgjidhur janë tarifat universitare për studentët evropianë që duan të studiojnë në Britani: negociatorët diskutojnë nëse ata duhet të paguajnë tarifat e njëjta me studentët britanikë apo tarifat më të larta për studentët ndërkombëtarë. Përveç kësaj, qeveria britanike kërkon garanci për përfshirjen e saj në politikën e ardhshme tregtare të BE-së, veçanërisht në iniciativën “Made in Europe”, duke argumentuar lidhjen e ngushtë të industrive britanike me zinxhirët e furnizimit evropian. Gati gjashtë vjet pas përfundimit të periudhës së tranzicionit, Londra dhe Brukseli po përpiqen të ndërtojnë një partneritet më të ngushtë, ku skema për 100 mijë të rinjtë shihet si një hap konkret.

