Manchester United po konsideron veprime ligjore ndaj JJ Gabriel, sipas The Times, nëse rezulton se klube të tjera i janë afruar adoleshentit në mënyrë të paligjshme. 16-vjeçari konfirmoi të martën largimin nga United dhe pritet që në javët në vijim të nënshkruajë me Realin e Madridit; të mërkurën ai vizitoi Valdebebasin, qendrën stërvitore të Los Blancos.
Klubi anglez po heton nëse ka pasur kontakte gjatë verës që shkelin rregullat e FIFA-s për futbollistët minorenë. Sipas rregullores aktuale, kur të kompletohet transferimi te Real Madrid, Manchester United do të përfitojë rreth 300 mijë paundë për formimin e lojtarit, shumë larg asaj që klubi do të përfitonte nga një shitje e tij në të ardhmen. United është i pakënaqur me sjelljen e futbollistit dhe familjes, të cilët, pas gjashtë vitesh bashkëpunim, vendosën për largimin; futbollisti ndërpreu stërvitjen me Djajtë e Kuq në Carrington pak ditë pasi kishte shënuar një tregolësh në Youth League.
Klubi deklaron se nuk ka mundur të komunikojë me familjen e Gabriel që nga muaji shtator. JJ Gabriel nuk ka debutuar kurrë në një ndeshje zyrtare me Manchester United, por është stërvitur me ekipin e parë dhe ka luajtur për disa minuta në një miqësore verore. Sipas mediave britanike, anglezët shprehin zhgënjim për largimin dhe po përpiqen të maksimizojnë përfitimet financiare nga prodhimi i akademisë, me futbollistin që cilësohet në artikull si talenti më i madh i dalë nga futbolli anglez në 15 vitet e fundit.
Mbetet vetëm formalizimi zyrtar nga ana e Real Madrid për kalimin e tij, ndërsa Gabriel prej disa javësh po stërvitet individualisht në Spanjë në pritje të konfirmimit. Prania e tij në qendrën stërvitore të Realit ka shkaktuar interes të madh; drejtuesit dhe stafi i klubit janë të vetëdijshëm për jehonën mediatike që ka shoqëruar largimin nga Manchester United dhe ardhjen te skuadra madrilene.

