Dy shtetas shqiptarë, Leo Toma, 34 vjeç, dhe Arlindi Tomaj, 22 vjeç, qëndrojnë në burg në Itali pas konfirmimit nga Prokuroria të masës së arrestit, lidhur me një operacion të zhvilluar pesë ditë më parë në një strukturë akomoduese me emrin “Immersa nel Verde”. Arrestimet u kryen nga karabinierët gjatë një aksioni në zonën mes San Biagio dhe Offagna, pas një dite të tërë ndjekjesh dhe vëzhgimesh nga forcat e rendit.
Sipas mediave lokale, hetuesit arritën të identifikonin automjetin e dyshimtë përmes kamerave të leximit automatik të targave (OCR) në disa bashki përreth. Pas ndjekjes në zonat Via San Giovanni dhe Brecce Bianche, efektivët rrethuan strukturën ku dyshohej se fshiheshin personat e përfshirë në vjedhje. Gjatë ndërhyrjes u sekuestruan mjete të përdorura për hapjen e kasafortave dhe u kthye një pjesë e sendeve të vjedhura te pronarët, përfshirë 2.810 euro në cash si dhe sende ari dhe bizhuteri.
Një person i tretë, i cili drejtonte automjetin e marrë me qira, arriti t’u shpëtonte karabinierëve pas një përleshjeje fizike. Sipas rindërtimit nga mediat italiane, ai u largua me shpejtësi nëpër fusha në kushtet e shiut dhe errësirës, duke përfunduar në zonën e luginës së lumit Aspio. Më pas dyshohet se ka vjedhur një automjet të parkuar në zonë dhe është larguar pa u identifikuar. Policia vazhdon kërkimet për kapjen e tij dhe po heton për ndihmësit e mundshëm që mund ta kenë strehuar.
Toma dhe Tomaj, të cilët sipas raportimeve rezultojnë të njohur për autoritetet, do të qëndrojnë në dispozicion të drejtësisë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit dhe identifikimin e personit të tretë. Operacioni është cilësuar nga karabinierët si një ndërhyrje e suksesshme, pasi u arrit të ndërhyhej në kohë reale dhe të ndaloheshin dy prej personave të dyshuar për përfshirje në vjedhje.

