Valentin Ftoni, 52 vjeç, u ekstradua nga Nju Jork më 18 nëntor 2026, pas arrestimit të tij në atë qytet më 8 tetor 2026. Arrestimi dhe faza përfundimtare të operacionit të quajtur “GLOBE” u kryen si rezultat i një pune të gjatë hetimore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar midis Policisë së Shtetit të Shqipërisë dhe agjencive federale të Shteteve të Bashkuara, të koordinuara nga DSS/OCIU në Ambasadën e SHBA në Tiranë. Pas ekstradimit, Ftoni, i cili përdorte tri identitete të falsifikuara — Valentin Bujaj, Parim Hajredini (identitet kosovar) dhe Alexander Campusano (identitet i Amerikës Qendrore) — u mor në dorëzim nga autoritetet federale amerikane ICE-ERO dhe DSS/OCIU dhe iu vu në dispozicion autoriteteve shqiptare për veprime të mëtejshme procedurale.
Ftoni është person me profil të lartë kriminal dhe ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare që nga viti 2001, pas arratisjes drejt SHBA-së. Ai është dënuar dy herë, me nga 25 vjet burgim secila, për disa vrasje të kryera gjatë viteve 1998–2001. Në vendimin e Gjykatës së Shkodrës më 28 janar 2001, Ftoni u deklarua fajtor dhe u dënua me 25 vjet burgim për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpëthyese dhe municionit”, lidhur me ngjarjen e datës 19 shtator 2000 në Cas, Shkodër, ku u vranë shtetasit Gj. M. dhe A. M., për motive gjakmarrjeje. Në vendimin tjetër të Gjykatës së Shkodrës më 18 nëntor 2008, ai u dënua përsëri me 25 vjet burgim për të njëjtat vepra, lidhur me vrasjen e shtetasit G. T. më 12 gusht 2001 në Shkodër.
Policia e Shtetit vlerëson se ky rast, si dhe të tjerë, dëshmojnë rritjen e bashkëpunimit me partnerët amerikanë në hetime dhe operacione të përbashkëta në fushën e zbatimit të ligjit. Në njoftim theksohet gjithashtu falënderimi ndaj partnerëve në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë për ndjekjen e këtij dhe rasteve të tjera.

