Real i Madridit ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me mesfushorin turk Arda Guler, duke e lidhur lojtarin me klubin deri në vitin 2032. Klubi konfirmoi mbylljen e bisedimeve, të cilat kishin nisur pak më shumë se një muaj më parë, dhe sipas medias spanjolle vullneti i të dy palëve për zgjerimin e marrëveshjes ishte i qartë, çka bëri që arritja e akordit të ishte thjesht çështje kohe. Kontrata e mëparshme e Gulerit skadonte në qershor të 2029; me zgjatjen e re ajo u shtua edhe për tre vjet, duke e lënë të fikse deri në 2032, vit kur mesfushori do të jetë 27 vjeç.
Rinovimi konsolidon pozicionin e talentit turk në skuadrën e Los Blancos dhe tregon vullnetin e klubit për ta mbajtur në organikë për periudhë afatgjate. Nga ana e tij, Arda Guler shprehu në rrjetet sociale mirënjohje dhe entuziazëm për vazhdimësinë te Reali. Ai tha se kur veshi për herë të parë fanellën e klubit e dinte që do të ishte pjesë e një historie të madhe, dhe se sot ndjen të njëjtën krenari dhe lumturi, por me përgjegjësi më të madhe. Guler theksoi se është nder për të të ndjekë gjurmët e legjendave që kanë shkruar emrin e tyre në historinë e futbollit te Reali, dhe shprehu ëndrrën për të veshur fanellën për shumë vite, për të fituar tituj të tjerë bashkë me ekipin dhe një ditë për të lënë gjurmën e tij në këtë histori.
Në mesazhin e tij ai falenderoi veçanërisht presidentin Florentino Perez, familjen, shokët e skuadrës, stafin dhe trajnerët me të cilët ka punuar, si dhe tifozët e Realit në mbarë botën për mbështetjen e vazhdueshme. Guler përfundoi duke shfaqur lumturinë që do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit dhe duke shpresuar për shumë ditë të bukura për t’u përjetuar së bashku me tifozët dhe skuadrën.

