Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën britanike “The Independent”, vlerësoi se gjendja politike e Britanisë së Madhe pas Brexit-it është më e vështirë se ajo e pjesës tjetër të Europës dhe e përshkroi si një rrugë vetëshkatërruese, duke shprehur shpresën që kryeministri i ri të arrijë ta ndryshojë këtë kurs. Rama përsëriti se “Britania është në një gjendje edhe më të dëshpëruar se pjesa tjetër e Europës” dhe shprehu pritshmërinë për një riorientim pas daljes nga BE-ja.
Gjatë intervistës ai komentoi edhe figurën e Andy Burnham, të cilin e përshkroi si “një forcë të madhe natyrore” me një tërheqje të veçantë politike, për shkak të përvojës së tij në qeverisjen lokale, që sipas Ramës është fusha thelbësore e betejës politike. Rama tha se e admirojnë veprimin e tij, ndërsa shtoi në mënyrë vetëironike se është “shumë i vjetër për të qenë i përshtatshëm për Instagramin”.
Pyetjes se cili politikan britanik ka ndikuar më shumë në formimin e tij politik, Rama i përmendi Tony Blair dhe qeverinë e New Labour, duke thënë se modeli i tyre politik ka qenë një nga frymëzimet kryesore për angazhimin e tij në politikë. Ai nënvizoi se e ka frymëzuar qasja pragmatike e Blair-it dhe përpjekja për të tejkaluar ndarjet tradicionale midis së majtës dhe së djathtës. Po ashtu, Rama shprehu admirim për ish-kryeministren konservatore Margaret Thatcher, duke thënë se transformimet politike gjatë periudhës së saj ishin të rëndësishme dhe se bindjet e tij socialiste nuk e pengojnë të vlerësojë figura të tjera politike.
Një pjesë të konsiderueshme të intervistës ai ia kushtoi ndikimit të rrjeteve sociale në demokraci, duke shprehur shqetësim për përhapjen e ekstremizmit, teorive konspirative dhe propagandës. Rama deklaroi se rrjetet sociale po dëmtojnë funksionimin e demokracive, duke zëvendësuar, sipas tij, lirinë e fjalës me “lirinë e shpërndarjes dhe e arritjes te publiku”. Ai paralajmëroi se nazistët, teoricienët e konspiracionit dhe ekstremistët janë të lidhur me njëri‑tjetrin dhe mund të përhapin idetë e tyre globalisht.

