Më 23 nëntor 2026, në Assembly Rooms të Edinburghut do të zhvillohet spektakli “Shqipëria përmes syve të Bajronit” (Albania Through Byron’s Eyes), një mbrëmje artistike që sjell në skenë historinë, poezinë, muzikën dhe traditat shqiptare. Aktiviteti organizohet nga Empowered Women of Diaspora (EWD), ndërkohë që në skenë do të interpretojë për herë të parë në Skoci Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.
Koncepti i mbrëmjes bazohet në lidhjen historike mes Shqipërisë dhe poetit romantik britanik Lord Bajron, i cili më shumë se dy shekuj më parë udhëtoi në trojet shqiptare dhe u ndikua nga peizazhet, veshjet tradicionale, karakteri dhe mikpritja e shqiptarëve. Përjetimet dhe takimi i Bajronit me Ali Pashë Tepelenën janë elemente të krijimtarisë së tij që lidhin dy vende kulturërisht. Vepra e Lord Bajronit do të interpretohet nga poeti dhe autori Robert Wilton.
Programi përfshin tinguj të muzikës shqiptare, kostume popullore dhe valle të ndryshme, duke sjellë atmosfera nga Tepelena dhe figura e Ali Pashës, energjinë e Valles së Tropojës, ritmet e Valles së Kukësit dhe elegancën e Valles së Osman Takës. Nën drejtimin artistik të Sokol Marsit, Ansambli do të prezantojë një repertor që përmbledh traditën, historinë dhe mjeshtërinë artistike. Koreografinë e realizon Genci Kastrati, ndërsa prezantimin do ta bëjë Suela Demiri.
Në program janë edhe emra të tjerë të skenës: tenori Aranit Hoxha, këngëtarja Denisa Gjeso, valltarët Mariana Shkreta, Katerina Konini, Flavio Xhaferri, Reji Berisha, Mirjan Llapushi, Kejsi Koxhaj dhe Enkeleda Agolli, si dhe instrumentistët Artan Shabani, Arbin Alimeri, Ermal Sela, Armand Ferra, Flogert Shatraj dhe Neki Kastrati.
Ngjarja synon të ofrojë për shqiptarët e diasporës një mundësi lidhjeje me rrënjët dhe vendlindjen përmes muzikës dhe valleve, si dhe t’u japë publikut britanik dhe ndërkombëtar një njohje më të afërt me kulturën dhe trashëgiminë shqiptare. Evenimenti organizohet nga EWD në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës dhe Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), me mbështetjen zyrtare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë. Adresa: The Assembly Rooms, 54 George Street, Edinburgh, EH2 2LR, Scotland.
