Policia Kufitare e Korçës zhvilloi kontrolle intensive në pikat kufitare Goricë dhe Kapshticë, ku kapen një shtetas në kërkim ndërkombëtar dhe u goditën dy raste të kontrabandës së mallrave, njoftoi Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë. Kontrollet u zhvilluan sipas analizës së riskut për kapjen e personave në kërkim dhe për parandalimin e paligjshmërisë.
Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në pikën kufitare Goricë, u kap shtetasi maqedonas T. P., 57 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vjena. Gjykata Rajonale e Vjenës, me vendimin e datës 04.08.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja”, mbetur në tentativë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë kryen arrestimin e përkohshëm të 57-vjeçarit me qëllim ekstradimin në Austri. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Austri, vijon procedurat për ekstradimin e tij.
Në pikën kufitare Kapshticë, gjatë kontrolleve në vijën e dytë në autobuse, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën mallra të dyshuara të kontrabanduara. Në autobus që drejtonte shtetasi Sh. H. specialistët gjetën cigare, produkte ushqimore, medikamente, vaj dhe pjesë automjetesh. Në autobusin e shtetasit M. G. u gjetën steka me cigare të dyshuara të kontrabanduara. Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. H., 55 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa shtetasi M. G., 29 vjeç, banues në Tiranë, u procedua në gjendje të lirë. Të gjitha mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet proceduriale lidhur me rastet e kontrabandës u referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
