Një shpellë e panjohur në Dolomitet e Italisë ka dalë në dritë si një “thesar” paleontologjik, i mbushur me qindra eshtra dhe kafka të arinjve gjigantë të Epokës së Akullnajave. Zbulimin e bëri udhërrëfyesi malor Kurt Walde, në një lartësi mbi 2 850 metra mbi nivelin e detit, pas një ngjitjeje dhe zbritjeje tepër të vështirë në terren thuajse vertikal. Me ndihmën e dritës elektrike, u evidentuan qindra mbetje skeletore që dyshohet t’u përkasin Ursus ladinicus, specie që mendohet se u zhduk rreth 24 mijë vjet më parë.
Arinjtë e kësaj specie ishin mbresëlënës në përmasa, me peshë që mund të arrinte deri në 1 200 kilogramë dhe gjatësi rreth tre metra, dhe – sipas studimeve të mëparshme – ushqeheshin kryesisht me bimësi alpine, barishte dhe gjethe. Deri tani, vendi i vetëm ku ishin konfirmuar mbetje të Ursus ladinicus ishte shpellaja Conturines; zbulimi i ri mund të ndryshojë njohuritë shkencore për këta gjitarë dhe mjedisin ku kanë jetuar.
Christian Terzer, drejtues i Departamentit të Arkeologjisë, pas vizitës në shpellë deklaroi se numri i madh i mbetjeve e ka habitur dhe se numri i ekzemplarëve mund të jetë shumë më i madh sesa ai i zbuluar më parë në Conturines. Studiuesit vërejnë se disa kocka janë pozicionuar mbi formacione të mëdha shkëmbore, por nuk dihet nëse kjo është rezultat i proceseve natyrore apo i hyrjes së njerëzve mijëra vjet më parë.
Për shkak të rëndësisë dhe aksesit të vështirë, autoritetet kanë vendosur masa mbrojtëse: një portë në hyrje të shpellës dhe izolim të pjesëve të tjera për të parandaluar hyrjen e paautorizuar dhe dëmtimin e mbetjeve. Studimet shkencore pritet të rifillojnë në qershor 2027, kur specialistët do të nisin analizimin e detajuar. Paleontologët shpresojnë të gjejnë skelete më të plota për rindërtimin e pamjes së kafshëve, marrëdhënieve familjare dhe sjelljes, ndërsa analiza e ADN-së, e dhëmbëve dhe e formacioneve gjeologjike mund të japë të dhëna për ekosistemin e Alpeve dhjetëra mijëra vjet më parë. Shkencëtarët nuk përjashtojnë mundësinë që në shpellë të gjenden edhe mbetje të kafshëve të tjera të Epokës së Akullnajave, sipas BBC.

